Mars 16, 2021 08:03 Europe/Tirane
  • Pohimi i dështimit të presionit maksimal kundër Iranit

Pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore e Iranit në maj 2018, ish-Presidenti i SHBA Donald Trump vendosi ndaj Iranit sanksionet më të papara në histori si pjesë e një fushate presioni maksimal.

Qëllimi i administratës Trump ishte ta detyronte Teheranin të pranonte kërkesat e Uashingtonit. Megjithatë, politika e administratës Trump ndaj Iranit dështoi keq. Kjo është një çështje e pranuar tani nga anëtari më radikal i administratës Trump, ish Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili luajti një rol kryesor në intensifikimin e presionit dhe armiqësisë së SHBA gjatë epokës së Trump kundër Iranit. "Ne nuk arritëm gjithçka që shpresonim të arrinim për ta detyruar Iranin të përulet dhe të hynte në një marrëveshje që me të vërtetë do ta parandalonte atë nga posedimi i një arme bërthamore," pranoi të Dielën Pompeo. Ky pohim i vonuar tregon se pretendimet e mëparshme të Pompeos se sanksionet amerikane kundër Iranit ishin efektive, kanë qenë boshe. Trump dhe Pompeo kishin premtuar që me tërheqjen e SHBA nga marrëveshja bërthamore, Irani do të detyrohej të negocionte atë që ata e quajtën një "marrëveshje më të mirë". Por fushata e presionit maksimal të SHBA mbi Iranin, e cila zgjati për më shumë se dy vjet e gjysmë, dështoi dhe nuk i përmbushi qëllimet e synuara të Uashingtonit. Kjo ka çuar në shumë kritika ndaj Trump në vitin e tij të fundit në detyrë. Dështimi i politikës së Trump ndaj Iranit është kritikuar në mënyrë të përsëritur jo vetëm nga rivalët amerikanë dhe partnerët e huaj, por edhe nga zyrtarë dhe analistë amerikanë. Paul Pillar, një ekspert politik amerikan shprehet: "Ka shumë indikacione që tregojnë se vëzhguesit janë të bindur se përpjekjet e administratës Trump për të rritur presionin për të gjunjëzuar Iranin kanë dështuar. Edhe ata që e mbështesin këtë strategji e pranojnë dështimin e saj". Ky mund të jetë një mësim i shkëlqyeshëm për Presidentin aktual Joe Biden dhe administratën e tij për të mësuar nga përvoja e dështuar e administratës Trump. Para fillimit të presidencës së tij, Biden kishte pohuar se nëse hynte në Shtëpinë e Bardhë, ai do të braktiste politikën e Trump ndaj Iranit dhe do të kthehej në marrëveshjen bërthamore. Sidoqoftë, rreth dy muaj pas hyrjes së Biden në Shtëpinë e Bardhë, politika e administratës së tij ndaj Iranit është e njëjtë me administratën Trump dhe Uashingtoni ka vazhduar të këmbëngulë për vazhdimin e sanksioneve, madje edhe shpalli  sanksionet e para kundër Iranit disa ditë më parë. Sipas ekspertes politike Kaitlin Johnston, Biden në fakt po vazhdon politikën e Trump ndaj Iranit. Sigurisht, vazhdimi i kësaj qasje vetëm do të çojë në dështim për Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë, Irani ka qenë në gjendje të kapërcejë shumë nga vështirësitë e paraqitura nga sanksionet e SHBA brenda kornizës së politikës së rezistencës maksimale. Kështu, vazhdimi i fushatës së presionit maksimal nuk mund ta detyrojë Teheranin të pranojë kërkesat irracionale të Uashingtonit, duke përfshirë kthimin në zbatimin e marrëveshjes bërthamore pa veprimin e Shteteve të Bashkuara për heqjen e sanksioneve.

 

Tags