Shpallja e profetësisë së Hazreti Muhamedit s.a.v.s.; një pikë kthese në jetën e njeriut
https://parstoday.ir/sq/news/religion_islam-i175886-shpallja_e_profetësisë_së_hazreti_muhamedit_s.a.v.s._një_pikë_kthese_në_jetën_e_njeriut
ParsToday - Shpallja e profetësisë së Hazreti Muhamedit s.a.v.s., mund të konsiderohet një pikë kthese në historinë e njerëzimit; një ngjarje që, duke u mbështetur në lexim, në pastrimin e shpirtit, në edukim dhe urtësi, transformoi strukturat intelektuale dhe shoqërore të njerëzimit.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Shkurt 07, 2026 12:26 Europe/Tirane
  • Xhamia e Profetit s.a.v.s. në Medinë
    Xhamia e Profetit s.a.v.s. në Medinë

ParsToday - Shpallja e profetësisë së Hazreti Muhamedit s.a.v.s., mund të konsiderohet një pikë kthese në historinë e njerëzimit; një ngjarje që, duke u mbështetur në lexim, në pastrimin e shpirtit, në edukim dhe urtësi, transformoi strukturat intelektuale dhe shoqërore të njerëzimit.

Në kalendarin hixhri kameri, data 27 e muajit Rexheb shënohet si përvjetori i shpalljes së profetësisë së Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed Mustafa s.a.v.s.; një ditë që, sipas studiuesve të historisë botërore, shënon fillimin e një kapitulli të ri në historinë shpirtërore dhe shoqërore të njerëzimit. Kjo ngjarje nuk është vetëm pika e fillimit të misionit hyjnor të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., por edhe një pikë kthese në transformimin intelektual, moral dhe shoqëror të shoqërive njerëzore.

Katër qëllimet themelore të misionit hyjnor

Në ajetin 164 të Sures Al-Imran, Kur'ani i Shenjtë numëron katër shtyllat kryesore të misionit hyjnor të Profetit të nderuar të Islamit: "Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t'u lexojë shpalljen e Tij, t'i pastrojë ata, t'ua mësojë Kur'anin dhe Sheriatin, edhepse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur". 

Recitimi i vargjeve hyjnore, pastrimi dhe përkryerja morale, mësimi i Librit të Shenjtë dhe e dijes, dhe mësimi i urtësisë. Këto katër qëllime ofrojnë një kornizë të qartë për misionin e Profetit të nderuar të Islamit; një mision qëllimi i të cilit është ta udhëheqë njeriun nga devijimi drejt dijes, zhvillimit dhe lumturisë në këtë botë dhe në botën pas kësaj. Por këto katër qëllime të rëndësishme sjellin shumë ndryshime në jetën njerëzore. Më poshtë janë shembuj të këtyre ndryshimeve:

1.  Ripërtëritja e vlerave individuale dhe shoqërore

Profeti Muhamed s.a.v.s. u shpall për profet në një kohë kur shoqëria arabe ishte e bllokuar në struktura të ngurta të injorancës; virtyte të tilla si durimi, falja, bujaria dhe modestia ishin zbehur, dhe vlerat njerëzore ishin harruar në hijen e paragjykimeve fisnore. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s., duke u mbështetur në mësimet e shpalljes hyjnore, i ringjalli këto vlera dhe i institucionalizoi koncepte të tilla si liria, drejtësia sociale dhe dinjiteti njerëzor në shoqëri; koncepte që më vonë u bënë shtyllat e qytetërimit islam.

2. Çlirimi nga errësira

Imam Aliu (a.s.), pasardhësi i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., në ligjëratën 89 të veprës "Nahxhul-Balagha", paraqet një pamje të saktë të kushteve shoqërore dhe intelektuale para shpalljes së Kur'anit të shenjtë: "Zoti i madhëruar e dërgoi për profet Hazreti Muhamedin s.a.v.s. në një kohë kur kishte kaluar një periudhë e gjatë që Zoti nuk kishte dërguar ndonjë profet, dhe njerëzit ishin zhytur në një gjumë të thellë, ndërsa përçarjet dhe konfliktet mes njerëzve kishin arritur kulmin, jeta e njerëzve ishte në kaos, anë e mbanë ishte ndezur flaka e luftërave dhe bota ishte futur në një errësirë dhe ishte mbushur plotë me komplote e mashtrime. Jete e njerëzve ishte vyshkur ishin shuar shpresat e njerëzve për një jetë të frytshme". Sipas përshkrimit të Imam Aliut (a.s.), ajo kohë ishte një periudhë gjatë të cilës nuk ishte dërguar ndonjë profet për një kohë të gjatë, komplotet e konfliktet ishin përhapur anë e mbanë. Flaka e luftërave kishte kapluar të gjithë rajonet, ndërsa njerëzit ishin zhytur në një gjumë të thellë e të gjatë. Në një mjedis të tillë, shpallja e profetësisë së Hazretit Muhamed s.a.v.s. ishte si një dritë që depërtoi në errësirën e injorancës, dhunës dhe padrejtësisë, dhe hapi një rrugë të re për njerëzimin.

3. Zgjimi i mençurisë dhe mendimit

Një nga qëllimet themelore të profetëve është të zgjojnë fuqinë e mendimit tek njerëzit. Në veprën "Nahxhul-Balagha", Imam Aliu (a.s.) thekson se profetët erdhën për të aktivizuar "thesaret e mençurisë" brenda njerëzve. Prandaj, misioni hyjnor i Profetit të nderuar të Islamit, theksimi i të cilit ishte në leximin dhe marrjen e mençurisë dhe kultivimin e vetvetes për të zhvilluar njohuri, konsiderohet pika fillestare e këtij zgjimi intelektual .

4. Vendosja e paqes dhe qetësisë

Siguria dhe paqja janë nevoja themelore për çdo shoqërie njerëzore dhe në thelb asnjë rritje nuk mund të arrihet pa paqe. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. u tregoi rrugën e paqes myslimanëve duke ofruar një model mëshire dhe tolerance. Një shembull historik i kësaj qasjeje është sjellja e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. në ditën e çlirimit të Mekës; dita kur disa nga shokët e tij brohoritën sloganin "Sot është dita e hakmarrjes", por Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. deklaroi me vendosmëri: "Sot është dita e mëshirës". Ndërsa populli i Mekës priste që myslimanët të kryejnë hakmarrje, Profeti i nderuar i Islami s.a.v.s. jo vetëm që i fali ata për krimet e tyre, por e quajti këtë ditë edhe dita e mëshirës; një qasje që hodhi themelet për prirjen e përhapur të popullit të Mekës drejt Islamit.