Analizë | Bashkëpunimi i ri ushtarak mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe regjimit sionist
-
Mohammed bin Zayed, sundimtar i Emirateve të Bashkuara Arabe (majtas); Benjamin Netanyahu, kryeministri i regjimit sionist (djathtas).
Pars Today – Zbulimi i dokumenteve konfidenciale të kompanisë Elbit Systems, një prej prodhuesve më të mëdhenj të armatimeve të regjimit sionist, ka nxjerrë në dritë dimensione të reja të bashkëpunimit të fshehtë ushtarak ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe këtij regjimi.
Sipas njoftimit të Pars Today, bazuar në raportin e gazetës Haaretz, këto dokumente, të publikuara nga një grup hakerësh, tregojnë se Emiratet kanë paraqitur një kërkesë urgjente për blerjen e gjashtë dronëve të avancuar "Hermes 900", të njohur në ushtrinë e regjimit sionist me emrin "Kochav" (Ylli), si dhe kanë planifikuar zgjerimin e kësaj flote në 45 dronë, në kuadër të 15 sistemeve të plota, me një vlerë prej rreth 1.3 miliardë dollarësh.
Gjithashtu është zbuluar edhe një projekt tjetër ushtarak me emrin "Yasmin 3", në kuadër të të cilit, brenda vetëm tre muajsh do të prodhohen 6000 kite orientimi për shndërrimin e bombave konvencionale në bomba me precizion të lartë.
Ky artikull shqyrton arsyet, dimensionet dhe pasojat e këtyre zhvillimeve.
Rrënjët dhe motivet strategjike
1. Plaga e vjetër e sulmit të vitit 2022
Faktori kryesor që qëndron pas këtyre kërkesave urgjente është sulmi me raketa dhe dronë i ushtrisë së Jemenit ndaj Abu Dhabit më 17 janar 2022, ku humbën jetën tre persona dhe u zbuluan dobësi serioze në mbrojtjen ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe. Vetëm dy muaj pas këtij incidenti, Emiratet i paraqitën Izraeli kërkesën urgjente për blerjen e dronëve Hermes 900.
2. Konvergjenca e sigurisë pas Marrëveshjeve të Abrahamit
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit në vitin 2020, në kuadër të Marrëveshjeve të Abrahamit, krijoi terrenin për bashkëpunim të gjerë ushtarak. Dokumentet tregojnë se bashkëpunimi ushtarak mes dy palëve arriti kulmin gjatë përballjes së fundit me Iranin dhe janë publikuar raporte për vendosjen e sistemeve Iron Dome dhe sistemeve të tjera mbrojtëse izraelite në Emirate. Krijimi i një Fondi të Përbashkët të Prokurimeve të Mbrojtjes konsiderohet një hap tjetër drejt institucionalizimit të këtij bashkëpunimi.
3. Nevoja për teknologji të avancuar dhe prodhim vendas
Emiratet e BAshkuara Arabe synojnë të sigurojnë dronë me aftësi për mbikëqyrje përtej kufijve, zbulimin e lëshimit të raketave dhe dronëve drejt territorit të vendit. Hermes 900, me një ngarkesë prej 990 paundësh dhe aftësinë për të mbajtur raketa tokë-ajër, i plotëson këto kërkesa.
Përveç kësaj, dokumentet tregojnë se është propozuar prodhimi lokal i disa komponentëve në Emirate, në përputhje me strategjinë afatgjatë të Abu Dhabit për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Dimensionet teknike dhe ushtarake të kontratës
Dronët Hermes 900 (Kochav): Këto sisteme të avancuara janë projektuar për mbledhjen e informacioneve, operacione sulmuese dhe mbikëqyrje elektronike. Vlera fillestare e gjashtë dronëve, së bashku me sistemet mbështetëse, vlerësohet në rreth 180 milionë dollarë, ndërsa pas përmirësimeve është rritur në 225 milionë dollarë. Programi për zgjerimin e flotës në 45 dronë e çon vlerën e kontratës në 1.3 miliardë dollarë.
Projekti "Yasmin 3": Prodhimi i 6000 kiteve të orientimit brenda tre muajve tregon për një nevojë urgjente operacionale dhe një kërkesë në rritje për municione me precizion të lartë në kushtet aktuale të sigurisë. Këto komplete i shndërrojnë bombat konvencionale në armë të drejtuara me GPS ose me lazer.
Armatime të tjera: Lista konfidenciale e kërkesave të Emirateve përfshin gjithashtu avionë për zbulimin e sinjaleve, municione endacake SkyStriker, bomba depërtuese MPR-2000 dhe sisteme të luftës elektronike.
Pasojat gjeopolitike dhe rajonale
1. Ndryshimi i ekuilibrit ushtarak në rajon
Vendosja në shkallë të gjerë e dronëve strategjikë dhe municioneve izraelite me precizion në Emirate synon ndryshimin e ekuilibrit të forcave në dëm të Boshtit të Rezistencës dhe aleatëve të Iranit. Këto kontrata janë nënshkruar në kuadër të shndërrimit të Emirateve të Bashkuara Arabe në një nga vendet më të pajisura të rajonit në fushën e dronëve dhe municioneve me precizion të lartë.
2. Thellimi i aleancës strategjike kundër Iranit
Bashkëpunimi ushtarak mes Izraelit dhe Emirateve, i cili filloi pas sulmeve të vitit 2022, arriti kulmin gjatë sulmit të përbashkët të SHBA-së dhe regjimit sionist, me mbështetjen e Emirateve, kundër Iranit. Vendosja e sistemeve mbrojtëse izraelite në Emirate e ka shndërruar këtë vend në pjesë të rrjetit mbrojtës të Izraelit kundër Iranit. Gjithashtu është raportuar se Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë kërkuar privatisht presidentit amerikan Donald Trump të ndërmarrë veprime kundër Iranit.
3. Sfidat e sigurisë për Iranin
Bashkëpunimi ushtarak mes Izraelit dhe Emirateve, veçanërisht në lidhje me projektin "Yasmin 3" dhe prodhimin masiv të kiteve të precizionit, konsiderohet një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Iranit. Ky bashkëpunim përbën një hallkë të zinxhirit të aleancës ushtarake kundër Iranit në rajon.
4. Dobësimi i solidaritetit arab
Blerja e armatimeve të avancuara nga një shtet arab prej regjimit sionist e thellon përçarjen në unitetin arab dhe i shërben interesave të boshtit Izrael–SHBA në rajon.
5. Sfidë për marrëveshjet rajonale
Këto bashkëpunime mund të nxisin vende si Arabia Saudite drejt një gare të re armatimesh me Emiratet ose ta inkurajojnë Riadin t'u bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit, duke ndryshuar arkitekturën e sigurisë në Gjirin Persik.
Në përgjithësi, dokumentet e publikuara tregojnë një zhvillim strategjik në bashkëpunimin ushtarak ndërmjet regjimit sionist dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, i ndërtuar mbi kërcënimin e përbashkët të pretenduar nga ana e Iranit, me pasoja të thella për të ardhmen e sigurisë në rajon.
(Kërkoni video, na ndiqni: https://t.me/ParsTodayshqip)