Thellohen përplasjet diplomatike SHBA-Turqi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i61093-thellohen_përplasjet_diplomatike_shba_turqi
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ankara deklaroi se ka pezulluar, me efekt të menjëhershëm, të gjitha shërbimet e vizave jo emigruese me Turqinë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 09, 2017 15:47 Europe/Tirane
  • Thellohen përplasjet diplomatike SHBA-Turqi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ankara deklaroi se ka pezulluar, me efekt të menjëhershëm, të gjitha shërbimet e vizave jo emigruese me Turqinë.

Pra, Shtetet e Bashkuara nuk japin më viza diplomatike për personalitetet turke. Masa e paralajmëruar të dielën bën me dije se nuk do t’u jepen viza turqve që kanë planifikuar  vizita në SHBA. Një deklaratë e lëshuar nga misioni i SHBA në kryeqytetin turk tha se ngjarjet e kohëve të fundit kishin detyruar qeverinë e SHBA.-së të rivlerësojë angazhimin e Ankarasë për sigurinë e objekteve dhe stafit amerikan. Në deklaratë po ashtu thuhet se, “për të minimizuar numrin e vizitorëve në ambasadë dhe konsullata ndërsa vazhdon ky vlerësim, efektivisht menjëherë pezullohen të gjitha shërbimet për viza jo-emigrimi në të gjitha objektet diplomatike amerikane në Turqi.” Ky veprim vjen pak ditë pas arrestimit të një punonjësi të konsullatës amerikane në Stamboll nën akuzën se ka lidhje të dyshuar me klerikun mysliman Fetullah Gulen, i cili jeton në ShBA dhe që akuzohet nga qeveria turke si orkestrues i grushtit të dështuar të shtetit korrikun e vitit të kaluar. Gulen ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje, duke akuzuar Erdoganin se qëndron pas skenarit për të forcuar pozitat e tij të pushtetit. Uashingtoni zyrtar u shpreh se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga arrestimi i punonjësit. Pas vendimit të Amerikës për pezullimin e vizave për shtetasit turk, edhe Ankaraja zyrtare i është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë. Ambasada e Republikës së Turqisë në Uashington në të gjitha misionet diplomatike në SHBA ka pezulluar të gjitha procedurat lidhur me lëshimin e vizave për qytetarët e SHBA-ve, raportoi Anadolu Agency. “Ngjarjet e fundit e detyruan Qeverinë e Turqisë që përsëri ta shqyrtojë angazhimin e qeverisë së SHBA-ve për sigurinë e objekteve dhe stafit të misioneve diplomatike turke. Gjatë procesit të vlerësimit, procedurat për lëshimin e vizave për qytetarët e SHBA-ve në të gjitha misionet tona në SHBA janë ndërprerë, me qëllim që të zvogëlohet numri i vizitorëve në ambasadën tonë dhe konsullatat e përgjithshme në SHBA”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Ambasada turke në Uashington. Në deklaratë theksohet se me këtë vendim mbulohen edhe lëshimi i vizave në vendkalimet kufitare dhe e-Vizat. Gjithashtu, autoritetet turke kanë lëshuar një urdhër-arrest për një punonjës të dytë të konsullatës amerikane në Turqi, ndërsa ministri i Drejtësisë në Turqi i kërkoi Shteteve të Bashkuara të ndryshojnë vendimin e tyre për pezullimin e vizave për qytetarët turq. Autoritetet turke njoftuan, se një punonjës i dytë i konsullatës amerikane në Stamboll ishte thirrur në zyrën e kryeprokurorit të qytetit për të dëshmuar. Raportet thonë se punonjësi është një shtetas turk dhe zyra e prokurorisë tha se gruaja dhe fëmija i tij janë arrestuar gjithashtu për t’u marrë në pyetje. Padyshim që ky veprim i Ankarasë do të ndikojë në thellimin e mëtejshëm të krizës diplomatike SHBA-Turqi.