Trump falenderon Ramën për qëndrimin ndaj Kinës
Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur qëndrimin e Shqipërisë lidhur me influencën e Kinës sa i përket përhapjes së rrjetit 5G në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Mesazhi ka mbërritur nga Presidenti Donald Trump në adresë të Kryeministrit Rama, përmes një letre të publikuar nga vetë kreu i qeverisë. Në vijimësi të këtyre qëndrimeve, Presidenti Trump i kërkon Shqipërisë të dalë nga formati kinez 17 + 1, një platformë ekonomike që përfshin Kinën dhe 17 vende të Europës Qëndrore e Lindore. Presidenti Trump vlerëson edhe mbështetjen e Kryeministrit Rama për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë e Kosovës, për mbështetjen e paktit për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe i kërkon të zhvendosë ambasadën shqiptare nga Tel Avivi në Jeruzalem. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se për Shqipërinë, SHBA-ja ka qenë dhe mbetet pikë referimi e palëvizshme. “Por – dhe këtu është një ‘por’ shumë e vogël, që ne dëgjojmë, respektojmë dhe vendosim në bazë bindjesh”, tha Rama. “Sa i përket lëvizjeve konkrete, këto janë çështje tona. Si çështje e jona, ne i trajtojmë me shume kujdes dhe vendosim në momentin e duhur, gjithmonë në funksion të interesave strategjike të Shqipërisë, dhe asnjëherë duke harruar që ne jemi aleat strategjik të SHBA-së dhe të BE-së, dhe në politikën e jashtme, e përsëris, ne jemi të linjëzuar me BE-në”, shtoi Rama gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.