Cilat do jenë efektet e dorëheqjes së Hashim Thaçit?
(last modified Fri, 06 Nov 2020 18:50:37 GMT )
Nëntor 06, 2020 19:50 Europe/Tirane
  • Cilat do jenë efektet e dorëheqjes së Hashim Thaçit?

Dorëheqja e Hashim Thaçit nga pozita e presidentit të Kosovës, krijon një situatë të re dhe sfidë për Kosovën në aspektin e brendshëm politik, si dhe për imazhin e saj në arenën ndërkombëtare, vlerëson njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Ibrahimi.

Sipas tij, Kosova në këtë moment ka nevojë për një unitet të skenës politike. Uniteti i gjerë i skenës politike është i domosdoshëm për të mos lejuar që të krijohen vakuume institucionale, por edhe për të bërë të mundur që të shtyhen përpara proceset shtetërore dhe institucionale, vlerëson analistja Jeta Krasniqi. Njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Ibrahimi, thekson që pas dorëheqjes së Thaçit, nga spektri politik kërkohet maturi për t’u ballafaquar me situatën e krijuar dhe të menaxhojnë politikën e brendshme. Sipas tij, aktualisht mund të krijohet një vakum i madh politik dhe partitë politike, tash për tash, duhet të shmangin luftën ndërmjet tyre, për të ruajtur interesat e vendit. Siç thotë ai, në situatën aktuale, do të ishte amatorizëm politik në rast se synohet ndonjë lloj përfitimi nga partitë veç e veç. Ndërkaq, Ilir Ibrahimi vlerëson që zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për momentin, nuk janë zgjidhje për situatën e tanishme. Sipas tij, ato nuk mund ta ndryshojnë shumë realitetin politik dhe partive politike sërish do t’iu duhet që të ulen bashkë për ta bërë një qeveri, e cila do të përballej me sfidat që e presin vendin. Ai shtoi se aktakuzat e konfirmuara ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit, ish-zyrtarëve të lartë, por edhe figurave të larta në kuadër të partive politike të Kosovës, e të cilët dikur kishin udhëhequr luftën, do të ndikojnë edhe në aspektin ndërkombëtar. Siç thekson ai, spektri politik në Kosovë, duhet të jetë i vetëdijshëm që në planin e jashtëm, Kosova më nuk do të shihet sikurse deri më tash dhe do të duhet punë shumë e madhe për ta tejkaluar sfidën. Sipas tij, sfidë do të jetë edhe dialogu me Serbinë, nga i cili, siç thotë ai, Kosova nuk duhet të heqë dorë. “Dialogu duhet të vazhdojë, sepse Kosova, megjithatë, duhet të vazhdojë t’i kryej detyrat e saj si shtet. Shteti nuk mund të varet vetë nga individë, sepse në këtë rast edhe pse janë personat që janë kyçë për çlirimin dhe themelimin e shtetit, ne duhet që të gjejmë forcën që përgjegjësitë tona shtetërore t’i çojmë përpara për obligimet që kemi marrë. Por, ato mund të çohen përpara vetëm nëse jemi të bashkuar dhe që ne jo vetëm të jemi pjesë e procesit, por të arrijmë maksimumin në këtë proces”, theksoi Ibrahimi. Nga Dhomat e Specializuara në Hagë, deri më tani janë konfirmuar aktakuzat për pesë persona, për të cilat aktakuza është njoftuar publiku. Aktakuzë është ngritur kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Të enjten, më 5 nëntor, u bë e ditur se është konfirmuar aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ndërkaq, të mërkurën, (më 4 nëntor) u njoftua se është konfirmuar aktakuza ndaj shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, si dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, aktakuza u bë publike më 5 nëntor, ku Dhomat e Specializuara thanë se ajo është konfirmuar më 26 tetor. Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

 

Tags