Shkurt 17, 2021 11:39 Europe/Tirane
  • Kosova kremton përvjetorin e pavarësisë

Më rastin 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sheshet e Prishtinës janë stolisur me flamuj të Kosovës.

Për këtë datë janë organizuar disa aktivitete nga institucionet shtetërore, si homazhe e aktivitete kulturore.

Ndërsa, disa qytetarë të anketuar nga Ekonomia Online, në  sheshet e kryeqytetit mirëpresin vendosjen e flamujve në sheshe dhe rrugë.

Ata shprehen se 13 vjetorin e pavarësisë do ta festojnë, por për shkak edhe të Covid-19 kryesisht do ta kalojnë me familjet e tyre apo edhe në ambiente të hapura.

Nermina Salihaj qytetare ka thënë se ja vlenë të stoliset sheshi për shënimin e pavarësisë.

“Po. Për momentin nuk e di. Zakonisht janë këto mbledhjet familjare që po është mundësi e mirë. Ja vlenë të stoliset” është shprehur ajo.

Kurse qytetari tjetër Mehmet Berisha ka thënë se e pret me padurim këtë festë.

“Po duhet me festu. E presim me padurim. Pavarësinë do ta festojmë me familje. Me dalë diku nuk dalim” ka thënë ai. 

Faton Fetahaj qytetari tjetër ka thënë se për 17 shkurt del për shetitje me familje.

“Më pëlqen shumë që e kanë stolisë sheshin. Për pavarësi dalim shetisim me familje si për çdo festë” është shprehur ai.

Edhe Beqir Qeriqi ka treguar se nesër feston me famije.

“Shumë më pëlqen sheshi. Për pavarësi fesojmë si gjithë popullata shqiptare. Neser dalim me familje” ka thënë ai.

U.d e presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kreu i VV-së, Albin Kurti kanë bërë homazhe  në Prekaz për nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku thanë se ky vend u përkujtojnë çmimin e lartë që e ka paguar vendi për liri.

U.d Vjosa Osmani ka thënë se në Prekaz gjenden dëshmitë e gjenocidit serb si dhe dëshmitë për atdhedashuri, raporton E.O.

“Bashkarisht ta nderojmë vendin që është ikonë e lirisë vendin ku prehen komandanti legjendar dhe gjithë familja Jashari që janë simbol i sakrificës të popullit shqiptar për liri. Këtu gjenden dëshmitë e gjenocidit serb dhe është dëshmia më e fuqishme për atdhedashuri. Në këtë përvjetorë përkulemi para veprës së komandantit legjendar dhe gjithë dëshmorëve”, tha Osmani.

Ndërsa Albin Kurti ka thënë se Prekazi është që tregon se çmimi i lirisë është shumë i lartë.

“Prekazi heroik është vendi i kushtrimit për çlirim dhe vendi që na e përkujton se sa i lartë është çmimi i lirisë, dhe se sa të priveligjuar jemi ne që jetojmë dhe e festojmë 13 vjetorin e Pavarësisë. Tre breza të familjes Jashari luftuan dhe sakrifikuan, dhe duke u kthyer këtu ne e bëjmë më të fuqishëm shtet ndërtimin demokratik sepse i tillë është amaneti i dëshmorëve”

Krejt në fund Bekim Jashari ka shtuar se është nder që për këtë 13 vjetor t’i shoqërojë delegacionet më të larta shtetërore gjatë homazheve.

“Është nderë për mua që sot t’i shoqërojë delegacionet më të larta shtetërore”, tha Jashari.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar sot shqiptarët për ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Rama ka publikuar një foto të veçantë të këngëtares me origjinë shqiptare, Dua Lipa e cila shfaqet me flamurin shqiptar dhe atë të Kosovës.

17 shkurti 2021 shënon ditën kur shteti i Kosovës mbush 13 vjet prej kur është shpallur i pavarur.

Të dielën e 17 shkurtit 2008 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë nga Kryeministri Hashim Thaçi.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka uruar Kosovën në 13-vjetorin e bërjes shtet.

“Ne përgëzojmë Kosovën dhe të gjithë qytetarët kosovarë në 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Gëzuar Ditën e pavarësisë! Urime Dita e Pavarësisë”, thuhet në urimin e Ambasada së Gjermanisë në Kosovë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA)në Kosovë, Philip Kosnett ka uruar qytetarët e Kosovës për 13 vjetorin e Pavarësisë.

Kosnett përmes një postimi në Twitter ka shkruar se partneriteti i SHBA-Kosovë mbetet i palëkundur.

Sipas tij, SHBA është pranë njerëzve të Kosovës.

“Ndërsa festojmë Ditën e Pavarësisë së Kosovës, partneriteti SHBA-Kosovë mbetet i palëkundur. Ne jemi pranë njerëzve të Kosovës ndërsa ju punoni për të ndërtuar një shtëpi të drejtë, paqësore dhe të begatë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Kossnet në Twitter.

Në 13-vjetorin e Kosovës shtet, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po thotë se është me mendje dhe zemër në Hagë. Sipas kësaj partie, atje po mbahen padrejtësisht shokët e tyre, të cilët kontribuuan për shtetësinë e Kosovës.

Për ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, sakrifica e familjes Jashari lindi shpresën dhe projektoi të ardhmen.

Sipas tij, kjo e ardhme ishte Kosova e lirë dhe të pavarur e sovrane.

Ai gjatë homazheve në Prekaz, tha se po bëhet një sakrificë e re për të treguar që nuk mund të rishkruhet historia e drejtë.

"Familja Jashari është sinonim i çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Me këtë 13 vjetor të pavarësisë së Kosovës, natyrisht që me mendje dhe zemër jemi në Hagë. Ku janë shokët tanë, të cilët në mënyrë të padrejtë po mbahen atje. Do të kthehen fitimtare dhe faqebardhë, të cilët po bëjnë një sakrificë të re, sublime për të treguar që nuk mund të rishkruhet historia e drejtë për çlirim dhe për pavarësi", tha Hoxhaj.

Tutje, Hoxhaj në Prekaz tha se pavarësia e Kosovës, para 13 vjetësh e ka bërë Ballkanin më të drejtë dhe paqësor. Megjithatë, shtoi se mos-anëtarësimi në OKB e bën më të pasigurt.

"Sot dua që nga Prekazi heroik t'iu urojë pavarësinë e Kosovës, fillimisht presidentit Thaçi, kryetarit Veseli, ish-kryeparlamentarit Krasniqi dhe shumë bashkëluftëtarë të tyre të cilët qëndrojnë në mënyrë të padrejtë në gjykatë dhe për te cilët presim qe të kthehen fitimtarë dhe faqebardhë", shtoi ai.

Në familjen Jashari më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kanë rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.

Ismet Beqiri së bashku me anëtarët e tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova

Me ç’rast ai tha që në këtë ditë kanë ardhur në shenjë mirënjohjë për figurën e ish-presidentit Rugova.

“Sot në këtë ditë të shënuar nderojmë figuren e ish-presidentit Rugova për gjithë punën dhe sakrificën që ka bërë për popullin e Kosovës”, tha Beqiri., transmeton E.O.“Patjetër që ne si subjekt politik do i jemi mirënjohës veprës së tij që na la dhe gjithë populli i Kosovës”, shtoi Beqiri.

Tags