Kuvendi zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët e rinj
Me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës.
Pro zgjedhjes së Konufcës kanë votuar 69 deputetë, 33 kundër.
Glauk Konjufca është lindur në korrik të vitit 1981, në Prishtinë. Ka përfunduar studimet e Filozofisë në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës.
Është aktivizuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! që në fillimet e saj. Është studiues i filozofisë dhe ndërmjet shumë shkrimeve në këtë fushë, ka botuar librin “Huti i minervës fluturon në muzg G.Ë.F. Hegel”. Në vitin 2010 u zgjedh deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në legjislaturën e IV-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2011-2014 ishte nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në vitin 2014 u zgjedh deputet dhe u emërua si shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në të njejtin vit ai u emërua si Nënkryetar i Kuvendit deri me 12 mars 2015. Në legjislaturën e V-të ishte zv. Kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukrurë, Tregti dhe Industri në Kuvendin e Kosovës. Në legjislaturën e VI-të ai u zgjedh Kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe ishte anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe Komisionit për Punë të Jashtme.
Në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, z. Konjufca u zgjedh deputet dhe me 26 dhjetor të po atij viti ai u propozua dhe u zgjedh Kryetar i Kuvendit të Kosovës deri me 3 shkurt 2020. Me formimin e Qeverisë Kurti, Glauk Konjufca emërohet si Ministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deri në qershor të vitit 2020.
Është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Kuvendi më pas ka zgjedhur edhe tre nënkrytarët nga partitë me shumicë shqiptare: Saranda Bogujevcin nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamzën nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Nënkryetarët e rinj, nga partitë me shumicë shqiptare, janë zgjedhur me 107 vota për dhe gjashtë vota kundër.
Nga komuniteti serb, nënkryetar është zgjedhur Sllavko Simiq, derisa nënkryetar i pakicës joserbe është zgjedhur deputeti Bekim Arifi.
Të dy këta nënkryetarë janë zgjedhur me 91 vota për, gjashtë kundër dhe dhjetë abstenime.
Konstituimi i Kuvendit i hap rrugë formimit të ekzekutivit të ri, 37 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Glauk Konjufca edhe zyrtarisht ka pranuar detyrën e kryetarit të Kuvendit, e që njëkohësisht do të jetë edhe ushtrues detyre i Presidentit të vendit.
Gjata ceremonisë së pranim-dorëzimit të detyrës, kryetarja e deritanishme, Vjosa Osmani tha se është e bindur se Konjufca do të përfaqësojë qytetarët e Kosovës në përputhje me vullnetin e tyre.
Vjosa Osmani: Konjufca do të përfaqësojë qytetarët në përputhje me vullnetin e tyre
“Kam nderin t’ia dorëzoj detyrën e kryetarit të Kuvendit z. Glauk Konjufcës dhe jam shumë e bindur që përgjatë këtij mandati jo vetëm që do të përfaqësojë qytetarët e Kosovës në përputhje me vullnetin e tyre por po ashtu do të sigurohet që Kuvendi i Kosovës të jetë shtëpi e qytetarëve dhe tempull i demokracisë, të jetë vendi ku përfaqësohen interesat e të gjitha atyre që votuan më 14 shkurt dhe të tjerëve që nuk morën pjesë në votime, por janë qytetarë të shtetit tonë të dashur në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.
Ndërsa kryetari i porsazgjedhur, Glauk Konjufca tha se është i nderuar që këtë post po e pranon pikërisht nga Vjosa Osmani, e cila sipas tij ka dhënë një shembull të shkëlqyeshëm në politikë.
Konjufca: U hap rruga për institucionet e Kosovës
“Jam shumë i nderuar që këtë përgjegjësi po e marr pikërisht nga ju zonja Osmani. Keni dhënë një shembull të shkëlqyeshëm në politikë, në jetën parlamentare kudo që iu ka dhënë mundësia. Kështu që mua më vjen mirë që përmes zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe kryesisë së Kuvendit, u hap rruga për institucionet e Kosovës që të shkojmë hapave të tjerë, e kam fjalën për zgjedhjen e qeverisë së Kosovës, pro shumë së shpejti edhe për juve si presidente e ardhshme e Republikës së Kosovës”, tha ai.