Erdogan i kërkon Kurtit të rishikojë vendimin
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të rishikojë çështjen e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalemin e pushtuar.
“Pasi e di se edhe ju keni gjithashtu shqetësime në lidhje me çështjen e Ambasadës së Kosovës, hapja e së cilës u njoftua se është bërë në Jerusalem, mendoj se do të ishte e dobishme për qeverinë tuaj që të rishikonte këtë çështje brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”, thuhet në letrën e urimit, të cilën Erdogan i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me rastin e zgjedhjes së tij në këtë pozitë. Përveç Turqisë, edhe Bashkimi Evropian e kishte kritikuar vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke e cilësuar si largim nga qëndrimet e BE-së, pasi sipas bllokut, kjo është në kundërshtim me aspiratat e Prishtinës zyrtare për integrim në Bashkimin Europian. BE-ja e konsideron statusin e Jerusalemit si çështje e përcaktuar nga rezolutat e OKB.