Kurti: Marrëveshja e Washingtonit nuk besoj se është menduar të implementohet
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, para eurodeputetëve në Parlamentin Evropian, foli edhe për Marrëveshjen e Washingtonit.
Sipas tij, marrëveshja nuk është bërë për t’u implementuar pasi nuk ka parë ndonjëherë marrëveshje mbi një faqe ku futet gjithçka në të. “Marrëveshjet e 4 shtatorit janë zotime të dyfishta unilaterale me një listë zotimesh. Nuk kam parë asnjëherë në jetën time një faqe e gjysmë zotime. Sikur të ndodhte që gjatë shkrimit të tyre dikush të thotë mos keni harruar edhe atë ose atë tjetrën. Nuk besoj që është menduar të implementohet, duhet ta shohim sidoqoftë si diçka pozitive”, tha Kurti. Por, kryeministri shtoi se ka edhe elemente pozitive në atë marrëveshje. Ndërkaq, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, para Parlamentit Europian ka thënë se Kosova do të ketë mbështetjen e plotë dhe se janë të gatshëm të ndihmojnë në çdo aspekt, përfshirë edhe ruajtjen e shtetësisë së Kosovës.