Ende nuk ka datë për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
(last modified Wed, 21 Jul 2021 14:35:01 GMT )
Korrik 21, 2021 16:35 Europe/Tirane
  • Ende nuk ka datë për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se janë në përgatitje e sipër për ecurinë e çështjes së gjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në prezantimin e sotëm në seancën e radhës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u tha se janë nxjerrë thuajse dhjetë pako me materiale shtesë që kanë të bëjnë kryesisht me deklarime të dëshmitarëve, përcjell klankosova.tv.

Gjithashtu sa i takon raporteve të ekspertëve, u potencua se numri i tyre është tre por që akoma nuk është përcaktuar ndonjë datë për nisjen e gjyqit.

”Pas konferencës së fundit mbi ecurinë e çështjes, 10 paketat me materiale, janë nxjerrë. Gjithashtu janë dorëzuar edhe dy kërkesa shtesë për masa mbrojtëse për datën 27 qershorë dhe 28 përkatësisht”.

”Pjesa e madhe e këtyre paketave ka të bëjnë me deklarata të mëparshme, që ndërlidhen me provat materiale, që janë përmendur edhe në parashtrimin në emër të mbrojtjes së Thaçit”.

”Ka pasur një kërkesë shtesë, për masa mbrojtëse. Kjo ka të bëjë kryesisht me provat materiale të ndërlidhura mbi dëshmitarët e raporteve lidhur me masat mbrojtëse”.

”Janë pesë dëshmitarë ndërkombëtarë, për të cilët ende nuk janë marrë miratimet. Krahas kësaj ka edhe një numër të vogël materialesh, sa i përket dorëzimit të tyre kjo është jashtë kontrollit tonë”.

”Sa i takon raporteve të ekspertëve, numri i tyre është tre, dhe ka të bëjë me materiale kriminalistike, siç kemi të bëjmë me parashtrimin tonë, ndërkohë që materiali faktik bazë për të cilën do të bëhen këto aktekspertiza është duke u nxjerrë brenda afatit këto javë”.

Avokatit Luka Misetic, i cili po e mbron juridikisht ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Hagë, s’i ka pëlqyer aspak fakti që Prokuroria kërkoi që të zgjatet afati për ta nxjerrë raportin e ekspertëve në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Misetic tha se mbrojtja duhet ta shoh qasjen e Prokurorisë përpara se t’i shoh raportet e ekspertëve për rastin. Ai përsëriti se Prokuroria kishte kërkuar që gjykimi të niste në korrik, ndërkaq që nuk është përgatitur ende vetë.

“Ne vazhdojmë të jemi të shqetësuar lidhur me nxjerrjen e raportit të ekspertëve. Supozohej të niste gjykimi në korrik… Mbrojtja nuk do të ketë mundësi t’i shoh të gjitha këto raporte pa pasur më parë çështjen e Prokurorisë lidhur me çdo viktimë”, tha Misetic.

“Dua të shohim akuzat përpara se të japim përgjigjen tonë”, theksoi avokati kroato-amerikan.

Ai tha se kjo do të ndikojë në përgatitjet e mbrojtjes për të qenë gati për gjykim.

Një nga avokatët mbrojtës të Kadri veselit, Nick Kaufman, ka kritikuar ashpër punën e Zyrës së Prokurorit special pranë Dhomave të Specializuara – rreth dorëzimit të materialeve dhe mundësisë që sërish të shtyhet afati për dorëzimin e tyre.

Në seancen statusore të radhës që po mbahet tani, Kaufman ka thënë se prokuroria nuk po punon aspak zellshëm.

“Nuk është një menyrë e zëllshme e punës së prokurorisë. Nëse nuk është gjykatesi për t’iu kërkuar dorezimin, ata vet nuk bëjnë asgjë”, ka thënë Kaufman. Prokuroria në fjalën e saj ka permendur sot mundësinë edhe për një afat shtesë për dorëzimin e materialeve.

Tags