Shqipëria shënon shtim të popullsisë
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i112776-shqipëria_shënon_shtim_të_popullsisë
Shqipëria ka shënuar shtesë natyrore të popullsisë në 3-mujorin e dytë të 2021 pas një rënie drastike gjatë gjashtë muajve të fundit.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Gusht 13, 2021 16:24 Europe/Tirane
  • Shqipëria shënon shtim të popullsisë

Shqipëria ka shënuar shtesë natyrore të popullsisë në 3-mujorin e dytë të 2021 pas një rënie drastike gjatë gjashtë muajve të fundit.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se në periudhën prill-maj-qershor të këtij viti raporti mes lindjeve dhe vdekjeve ka qenë pozitiv (+216). Në 3-mujorin e parë të 2021, popullsia në vend pati një rënie drastike pasi bilanci i lindjeve dhe vdekjeve ishte me mbi 3500 persona më pak. Gjatë 2500 persona më pak ishte bilanci i 3 muajve të fundit të vitit 2020. Në 5 qarqe të vendit ka pasur shtesë natyrore të popullsisë, ndërsa në shtatë qarqet e tjera është shënuar tkurrje e popullsisë. Vlera më e lartë e shtesës natyrore regjistrohet në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 590 numrin e vdekjeve, ndërsa ai më i vogël regjistrohet në qarkun e Korçës, ku vdekjet tejkalojnë me 205 numrin e lindjeve. Dy qarqe të vendit kanë shënuar rritje të numrit të lindjeve, ndërsa në dhjetë të tjerat numri i lindjeve është ulur, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Popullsia e Shqipërisë u tkurr me 16 mijë persona gjatë vitit 2020, duke shënuar rënie me 0.6% krahasuar me 2019, raportohet nga INSTAT, i cili fiksoi në datën 1 janar 2021, 2.829.741 banorë. Popullsia e Shqipërisë në vitin 2031, sipas parashikimeve llogaritet të jetë 2.745.996 banorë. Ky numër është rreth 36 mijë banorë më pak krahasuar me numrin e popullsisë në Projeksionet e Popullsisë në vitin 2011.