Shqipëria e Kosova
13 shtete po presin afganët, mes tyre Shqipëria e Kosova
Shqipëria dhe Kosova janë mes 13 vendeve që kanë pranuar të presin refugjatë afganë që po evakuohen për t’iu larguar dhunës së Talebanëve. Të dhënat janë konfirmuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Blinken tha se vendet që kanë pranuar të strehojnë afganë janë: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Polonia, Kanadaja, Kolumbia, Kosta Rika, Kili Meksika, Katari, Ruanda dhe Uganda. Numri i të larguarve nga Afganistani aktualisht është rreth 20 mijë. Duke qenë se afganët që mund të përfitojnë nga statusi i refugjatit nuk e kanë kaluar ende procesin e kontrollit për t’u vendosur në SHBA, ata do të strehohen përkohësisht në vendet në fjalë. Blinken ka deklaruar se inkurajues është fakti se edhe vende të tjera kanë shprehur gatishmërinë për të pritur refugjatët, ndërsa ka shtuar se, evakuimi nga Afganistani i amerikanëve dhe partnerëve afganë mbetet prioriteti numër një për administratën amerikane. Shefi i diplomacisë amerikane tha se 12 vende të tjera kanë shprehur gatishmërinë për të funksionuar si vende tranziti. Ato janë: Danimarka, Gjermania, Italia, Britania, Turqia, Kazakistani, Uzbekistani, Taxhikistani, Bahreini, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari. Pikërisht në Katar, baza amerikane Al Udeid ka shtuar kapacitetet e saj për të pritur të zhvendosurit, që llogaritet të jenë rreth 8 mijë persona.