Afganët që erdhën në Shqipëri
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i113478-afganët_që_erdhën_në_shqipëri
Gjatë kësaj fundjave shkoi në 275 numri i shtetasve afganë, që po strehohen në Shqipëri, pas largimit nga Kabuli.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Gusht 29, 2021 03:42 Europe/Tirane
  • Afganët që erdhën në Shqipëri

Gjatë kësaj fundjave shkoi në 275 numri i shtetasve afganë, që po strehohen në Shqipëri, pas largimit nga Kabuli.

Gjatë natës mbërritën në aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dy avionë me 154 qytetarë afganë, shumica, veprimtarë të shoqërisë civile, përkthyes, gazetarë, stduentë edhe fëmijë të mitur. Shqipëria po kujdeset nga kjo fundjavë për 275 shtetas afganë të shpërngulur nga aeroporti i Kabulit. Pjesa më e madhe e tyre, 154 qytetarë shtetas afganë, mbërritën gjatë natës së kaluar në Aeroportin Nënë Tereza të kryeqytetit me dy fluturime: njëri me 95 persona nga Kabuli rreth orës 11 dhe tjetri me 59 persona nga Doha në ora 1 pas mesnate. Të ardhurit e mbrëmshëm u strehuan në fjetinat e Qytetit Studenti. Ata janë shumica veprimtarë të shoqërisë civile, pjesë e fondacioneve humanitare kulturore, që kanë punuar këto vite në Afganistan, mësues, përkthyes dhe gazetarë, familjarë të gjithë moshave si dhe jo pak fëmijë, mes tyre deri edhe 3 muajsh dhe 1 vjeçarë. Ata tani po marrin gjithë shërbimet e nevojshme në mjediset e Qytetit Studenti, që nga dokumentat për strehim dhe mbrojtje të përkohshme, deri tek mjekimet dhe ushqimet, e mbi të gjitha qetësinë dhe sigurinë, që humbën në Kabul.