BE: Të ulen tensionet në veri të Kosovës
Bashkimi Evropian i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të ndërmarrin masa për t’i ulur tensionet në veri të Kosovës.
Thirrja vjen në ditën kur Kosova nisi të zbatojë masa reciprociteti në targat e makinave nga Serbia. Derisa në vendkalimin kufitar të Merdares procesi u zhvillua në mënyrë të rregullt, në vendkalimet në veriun me shumicë serbe ka protesta kundër vendimit. Serbët lokalë në veri bllokuan rrugët, ndërsa njësitë speciale të Policisë së Kosovës ndodhen në vendngjarje. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë në krijimin e një atmosfere që do të ndihmonte lirinë e lëvizjes dhe uljen e tensioneve. Sipas tij, dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është platformë për t’i zgjidhur çështjet e hapura midis Kosovës dhe Serbisë. “Ne po fokusohemi për të evituar situata, siç është tash ajo në veri të Kosovës”, tha Stano, duke përsëritur se të gjithë duhet të punojnë në frymën e promovimit të dialogut. Presidenti i Serbisë, Alesandar Vuçiç, ka thirrur një seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të martën në orën 10 të mëngjesit. Sipas mediave serbe, tema kryesore e sesionit do të jenë “ngjarjet e fundit në Kosovë”. Siç thuhet më tej, aty do të diskutohet vendimi i fundit për heqjen e targave nga makinat serbe nga autoritetet në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendosja e reciprocitetit për vendosjen e targave të përkohshme nuk është dëshirë e Kosovës, por imponim nga Serbia. Kurti tha se nuk ka asnjë qëllim për cenimin e lëvizjes së qytetarëve serbë në Kosovë, e as destabilizim, por thjesht respektim të marrëveshjes për të cilën është pajtuar edhe Serbia në Bruksel për targat e veturave.