Situata në veri bashkon pushtetin dhe opozitën, mungon Haradinaj
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i114626-situata_në_veri_bashkon_pushtetin_dhe_opozitën_mungon_haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën, më 26 shtator, priti në takim liderët e partive opozitare, ku u diskutua për situatën në veri të vendit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shtator 26, 2021 11:40 Europe/Tirane
  • Situata në veri bashkon pushtetin dhe opozitën, mungon Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën, më 26 shtator, priti në takim liderët e partive opozitare, ku u diskutua për situatën në veri të vendit.

Në takim morën pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Në takim nuk ishte i pranishëm, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku, sipas njoftimit, kanë shprehur mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit të Kosovës.

Që prej 20 shtatorit, kur hyri në fuqi masa e reciprocitetit për targat nga Serbia, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë bllokuar nga serbët lokalë të cilët po e kundërshtojnë këtë masë.

Ndërkaq, më 25 shtator, autoritetet njoftuan se është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Për këto dy incidente, Kosova e ka fajësuar Serbinë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se ka shprehur shqetësimin për gjendjen e krijuar në veri dhe njëkohësisht ka kërkuar qartësime shtesë për rrugën tonë përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë.

Abdixhiku po ashtu ka thënë se ka kërkuar nga kryeministrit Kurti koordinim të plotë me aleatët tanë.

“Pas propozimit tonë të djeshëm dhe ftesës së Kryeministrit, sot në mëngjes, së bashku me Kryetarin e PDK-së z. Krasniqi, u takuam me Kryeministrin Kurti. Në takim, shpreha shqetësimet tona për gjendjen e krijuar në Veri. Dhashë mbështetje për shtrirjen e ligjshmërisë në vend dhe për punën e Policisë tonë atje. Në kohë si këto, uniteti ynë është esencial. Njëkohësisht kërkova qartësime shtesë për rrugën tonë përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë. Kosova nuk e ka luksin të durojë tensionet në territorin e vet. Kryeministrit Kurti i kërkova poashtu koordinim të plotë me aleatët tanë; në veçanti me SHBA-të dhe BE-në. Është përgjegjësi e detyrim i tij dhe Qeverisë që koordinimi të bëhet menjëherë”, ka shkruar ai në Facebook.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se ka kërkuar nga kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës, si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim.

Krasniqi ka shkruar në Facebook se nga kryeministri Kurti u informua për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa.

“Së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, sot kam takuar kryeministrin Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit. Nga kryeministri Kurti u informuam për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa. Kërkova nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës, si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim. Njëkohësisht, përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, kërkova që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in. Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është obligim kushtetues. Në ushtrimin e sovranitetit tonë kushtetues, organet e rendit dhe ligjit duhet ta kenë përkrahjen e të gjithëve”, ka shkruar ai.