Shefat e diplomacisë të BE do të diskutojnë mbi Ballkanin Perëndimor
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i115822-shefat_e_diplomacisë_të_be_do_të_diskutojnë_mbi_ballkanin_perëndimor
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian mblidhen të hënën në Luksemburg për të diskutuar mes të tjerash edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, pas tensioneve të fundit në disa vende të rajonit, si në Bosnje-Hercegovinë e Mal të Zi, ashtu edhe në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 18, 2021 17:21 Europe/Tirane
  • Shefat e diplomacisë të BE do të diskutojnë mbi Ballkanin Perëndimor

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian mblidhen të hënën në Luksemburg për të diskutuar mes të tjerash edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, pas tensioneve të fundit në disa vende të rajonit, si në Bosnje-Hercegovinë e Mal të Zi, ashtu edhe në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, burime në Bruksel sqaruan se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të informojë ministrat mbi situatën në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe mbi përmbajtjen e bisedës që zhvilloi në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Borrell nxiti javën e kaluar reagime të shumta me prononcimin e tij rreth zhvillimeve në veri të Kosovës, duke e quajtur të papranueshëm, siç tha ai, një “veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar që shkakton tensione”. Ky reagim i tij u pa si kritikë ndaj operacionit të Policisë së Kosovës, që sipas autoriteteve të Kosovës, ishte drejtuar kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, por fjalët e Borellit shkaktuan reagime të forta, ndërkohë që shumë ndërkombëtarë e cilësuan aksionin si hap legjitim. Në Uashington, Borrell diskutoi me përfaqësuesit amerikanë edhe për rritjen e bashkëpunimit rreth Ballkanit Perëndimor, si dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.