Kosova shpall non grata dy zyrtarët rusë, cenuan sigurinë kombëtare
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë me dije se pas kërkesë së saj ndaj ministres së Jashtme që të shpallë non grata dy zyrtarë rus, tashmë vendimi është zyrtarizuar.
Bëhet fjalë për dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, të cilët për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues. Osmani shprehet se institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon. Presidentja e Republikës së Kosovës shtoi: "Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së. Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse. I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend".