Kurti për balotazhet: Synojmë e dëshirojmë që të fitojmë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një prononcim për EO, tha se janë duke punuar që raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të zhvillohet pa incidente.
Kurti shtoi se Qeveri do të garantojnë zgjedhje demokratike të lira e fer. Kur u pyete për rezultatin që pret nga këto zgjedhje, ai potencoi se synojnë dhe dëshirojnë që të fitojnë.
“Ne do të përpiqemi që të shkoj gjithçka në rregull sa i përket procesit zgjedhor që të mos ketë incidente të jenë zgjedhje demokratike të lira e fer” tha ai.
“Si Qeveri e Kosovës jemi në mbështetje të institucioneve mekanizmave shtetëror që të organizojmë zgjedhjet. Ne natyrisht synojmë e dëshirojmë që të fitojmë”, tha kryeministri.
Kryeministri Albin Kurti ka folur për kërcënimin ndaj tij, që është raportuar mbrëmë në media.
Kurti ka thënë se nuk ndjehet i rrezikuar.
“Së pari nuk ndjehem i rrezikuar, mirëpo janë organet e sigurisë ato që i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara. Unë as dje as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time “, ka thënë Kurti.
Lajmin për kërcënimin e Kurtit, e kishte konfirmuar mbrëmë për Telegrafin zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë”, tha Kryeziu.
Dyshohet se kërcënimi është bërë nëpërmjet rrjeteve sociale nga një person me profil të rrejshëm me emrin “Marki Mario”.
Ai ka ofruar shpërblim prej 35 mijë euro për personin i cili vret kryeministrin Albin Kurti.