Rajoni në rrezik destabiliteti, Mediu: Shqetësimi duhet ngritur në NATO
Destabiliteti në Ballkan duhet ngritur si problem në NATO, sipas Fatmir Mediut.
Kryetari i Partisë Republikane deklaroi në Euroneës Albania se Shqipëria duhet të mbajë një qëndrim të konsoliduar sa i takon situatës politike të trazuar në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai u shpreh se do të jetë shumë vonë nëse ndodh diçka që do të ndikojë te interesi kombëtar. Mediu theksoi se politika shqiptare nuk duhet të fokusohet vetëm te debati i brendshëm për aq kohë sa vihet re interesi i shtuar i SHBA-së dhe qëndrimi i Parlamentit Europian që kërkon të ndjekë zhvillimet në Bosnje, në Kosovë apo konfliktet etnike në Malin e Zi. “Ne duhet t’i hapim sytë dhe t’i shikojmë gjërat siç janë. Shpenzimet ushtarake të Serbisë janë rritur jashtëzakonisht shumë, po ashtu Rusia ka prezencë ushtarake, ka prezencë inteligjente dhe po ashtu ka një prezencë jashtëzakonisht të madhe të ndikimit dhe dezinformimit nëpërmjet medias,” – u shpreh kreu i PR-së ndërsa nënvizoi dhe rrezikun potencial për rikthimin e konflikteve. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria? Sipas Mediut si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria duhet ta parashtrojë çështjen në këtë organizatë. Parlamenti duhet gjithashtu që nëpërmjet një rezolute të përcaktojë qëndrimet në raport me Serbinë. “Skenari i Serbisë është i qartë, konfrontimi i çështjes së Kosovës nëpërmjet Shqipërisë,” – deklaroi Mediu.