Komshiq ndërpreu intervistën, Vuçiq i del në krah gazetarit që mohoi gjenocidin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e quajti “tmerr” faktin që kryetari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiq e braktisi intervistën me agjencinë shtetërore serbe të lajmeve, Tanjug, pasi gazetari që po e intervistonte mohoi se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, transmeton Gazeta Express.
Ai tha se gazetarët në Serbi nuk duhet të akuzohet për shkak se ata mendojnë ndryshe.
“Ajo që ndodhi me Marko Ivas është tmerr. Imagjinoni ta bëni një kallëzim penal kundër një gazetari vetëm sepse ai tha diçka me të cilën nuk pajtoheni”, tha Vuçiq.
Gjatë intervistës, gazetari tha se nuk pajtohet se në Srebrenicë ka pasur gjenocid dhe se pozicioni i tij nuk ishte i rëndësishëm.
Komshiq e pyeti gazetarin se pse nuk pajtohet.
“Që një krim i tmerrshëm ka ndodhur?”, tha gazetari i Tanjugut.
“Është gjenocid. Ky është gjykimi i Tribunalit ndërkombëtar. Gjenocidi nuk është një krim i tmerrshëm. Krimet e tmerrshme janë tjera”, tha Komshiq.
“Ky është pozicioni yt”, shtoi gazetari.
“Nuk është pozicion i imi. Është çfarë verdikti i gjykatës ka thënë”, tha Komshiq.
“Me çfarë pajtoheni ju?”, pyeti gazetari.
Komshiq iu përgjigj: “Dhe ju nuk pajtoheni?”
“Nuk pajtohem me këtë”, tha gazetari.
Pas kësaj, Komshiq u çua nga karrigeja.
Ndërkohë mediat serbe kanë njoftuar se një grup të rinjsh serbë sot po qëndrojnë afër muralit të kriminelit të luftës Ratko Mlladiq duke provuar që ta kthejnë atë në gjendjen e mëparshme. Ata sollën brusha, shishe dhe sfungjerë duke u përpjekur që ta heqin ngjyrën me të cilën u pikturua murali, raporton H1, transmeton Gazeta Express.
Kjo media ka provuar të marrë një deklaratë nga të rinjtë nëse i përkasin ndonjë organizate por ata kanë deklaruar se jetojnë në atë lagje dhe janë organizuar sepse janë patriotë.
Ata kanë mohuar se i përkasin ndonjë organizate. Gjysmë ore pasi ata mblodhën për ta fshirë muralin, lideri i së djathtes serbe, Misha Vacic, u pa duke ecur përreth muralit.
Anëtari i Partisë Socialdemokratë të Serbisë, Gjorgjo Zhujoviq, ka folur për N1 pasi ka hedhur një kovë ngjyrë të bardhë në muralin e kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, në një rrugë të Beogradit.
Zhujoviq ka thënë se ky është një akt prej një njeriu normal. Ai tutje ka thënë se nuk është normale që në Beograd të shfaqen murale të tilla të cilat përshkruajnë serbët “ashtu siq nuk janë”