‘Besa’ tërhiqet nga qeverisja, dorëhiqet ministri i Bujqësisë dhe dy zv.ministra
(last modified Sat, 13 Nov 2021 07:15:31 GMT )
Nëntor 13, 2021 08:15 Europe/Tirane
  • ‘Besa’ tërhiqet nga qeverisja, dorëhiqet ministri i Bujqësisë dhe dy zv.ministra

Ministri i Bujqësisë nga radhët e partisë ‘Besa’ në Maqedoninë e Veriut, Arianit Hoxha, dha dorëheqje nga posti.

Hoxha tha se ky është akt moral për shkak të kontestimit të fitores së kandidatit të tyre në komunën e Zhelinës dhe cenimit të demokracisë gjatë ditës së djeshme gjatë votimit për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Dorëheqje dhanë edhe dy zëvendësministra të ‘Besës’, duke shënuar kështu tërheqjen e kësaj partie nga qeveria. “Për shkak të cenimit të demokracisë në zgjedhjet lokale nga ana e këtij pushteti me në krye zëvendëskryeministrin nga BDI, ku u cenua e drejta e demokracisë në vend, me metoda manipuluese që vazhduan për fat të keq edhe dje kur ishte dita më e turpshme e demokracisë së këtij vendi, unë jap dorëheqje nga pozita e ministrit së bashku me dy zëvendësministrat”, tha Arianit Hoxha, Lëvizja Besa. Ai shpreson në një bashkim opozitar, duke përfshirë edhe partinë Alternativa, për të rrëzuar BDI-në. “Shansi është historik. Kjo mundësi që na u dha të dielën për ta rrëzuar BDI në ishte sinjal se vetëm të bashkuar mund ta rrëzojmë BDI në. Çdo veprim tjetër në të ardhmen, se kushdo që do të hyjë në këto rrethana me këta njerëz të BDI në pushtet, vetëm do i ndihmojë ata të qëndrojnë në pushtet”, u shpreh Hoxha. Hoxha e quajti tradhti vendimin e bashkëpartiakut Kastriot Rexhepi për të mos votuar për mocionin e mosbesimit të qeverisë, ndërsa Rexhepi ka paralajmëruar konferencë për mediat për të hënën.

Tags