Kurti: Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa zgjidhur çështjen e të zhdukurve
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i118960-kurti_nuk_ka_marrëveshje_me_serbinë_pa_zgjidhur_çështjen_e_të_zhdukurve
Pas më shumë se dy dekadave, u janë dorëzuar familjeve për rivarrim mbetjet mortore të 25 personave. Gjatë këtij viti janë identifikuar 21 raste të reja, tri raste ribashkim dhe një rast asistence, raporton KosovaPress.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Dhjetor 13, 2021 05:41 Europe/Tirane
  • Kurti: Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa zgjidhur çështjen e të zhdukurve

Pas më shumë se dy dekadave, u janë dorëzuar familjeve për rivarrim mbetjet mortore të 25 personave. Gjatë këtij viti janë identifikuar 21 raste të reja, tri raste ribashkim dhe një rast asistence, raporton KosovaPress.

Ndërkaq, janë mbi 1600 persona të tjerë, për të cilët që nga lufta nuk dihet për fatin e tyre. Kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar që nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa u zgjidhur çështja e gjithë këtyre personave. Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur përmes një videoje ka prezantuar punën që është bërë në zbardhjen e fatit për personat e pagjetur. Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të drejtat e njeriut ju shkelën më së shumti të zhdukurve me dhunë dhe familjeve të  tyre që janë viktima edhe sot. Ai theksoi se për një muaj, në qershor të vitit ’99 ka qenë i zhdukur, deri atëherë kur i vizitoi Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Kurti ritheksoi se çështja e personave të zhdukur është prioritet dhe urgjencë për qeverinë. “Personalisht kam qenë tejet i zëshëm dhe në çdo takim publik e jopublik me aktorët ndërkombëtarë, e kam ngritur çështjen e personave të zhdukur me dhunë, si çështje edhe me prioritet, edhe me urgjencë. Po e rithem që marrëveshje me Serbinë nuk ka pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve me dhunë”, theksoi ai.