Kosova regjistron 9 raste të reja me COVID-19
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi sot se janë regjistruar nëntë raste të reja me coronavirus, pas testimit të 1,802 personave.
Në njoftim thuhet se në 24 orët paraprake janë shëruar edhe gjashtë pacientë, ndërsa raste aktive janë 314.
Sa i përket vaksinimit, në 24 orët paraprake autoritetet kanë administruar 2,096 doza të vaksinave kundër koronavirusit. Prej fundit të marsit – kur nisi fushata e imunizimit – e deri më 21 dhjetor, në Kosovë me dy doza të vaksinës janë imunizuar 777,730 qytetarë. Në Kosovë të drejtë vaksinimi kanë të gjithë qytetarët nga mosha 12-vjeçare dhe mund të marrin vaksinën e AstraZenecas apo të Pfizer. Që prej fillimit të dhjetorit, personat mbi 18 vjeç mund të marrin edhe dozat përforcuese dhe ato të treta të vaksinës.