Kosova regjistron 107 raste të reja me COVID-19
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar se 107 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 në 24 orët e fundit, nga 5.561 testime të kryera.
Në 24 orët paraprake nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes nga kjo sëmundje ndërkohë që raportohen katër raste të qytetarëve që janë shëruar nga COVID-19. Në nivel vendi mbesin gjithsej 740 raste aktive me COVID-19. Ndërkohë në 24 orët e fundit sipas Ministrisë janë dhënë 2.639 doza të vaksinës kundër COVID-19. Ndërkohë, 468 qytetarë janë gjobitur nga policia në 24 oret e fundit, pasi nuk I kanë respektuar kufizimet e vendosura nga qeveria. Aktualisht të gjithë personat mbi 12-vjeç do të duhet të ofrojnë dëshmitë e vaksinimit me dy doza për udhëtim me mjete transportit publik apo edhe atij privat si dhe për hyrje në qendrat tregtare dhe lokale. Deri më sot 785.291 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.