Osmani - Kurti për masakrën në Reçak: historia nuk mund të rishkruhet
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i120784-osmani_kurti_për_masakrën_në_reçak_historia_nuk_mund_të_rishkruhet
Në rendin e varreve në Reçak, qëndron i hapur tash e më shumë se 20 vjet varri i Sahide Metushit. Për të moshuarën nga masakra e 15 janarit dhe më shumë se 40 banorëve të tjerë po kërkohet drejtësi. Në përvjetorin e kësaj masakre e cila bëri jehonë të madhe në botë, u tha se është data vendimtare për historinë e Kosovës.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 15, 2022 11:15 Europe/Tirane
  • Osmani - Kurti për masakrën në Reçak: historia nuk mund të rishkruhet

Në rendin e varreve në Reçak, qëndron i hapur tash e më shumë se 20 vjet varri i Sahide Metushit. Për të moshuarën nga masakra e 15 janarit dhe më shumë se 40 banorëve të tjerë po kërkohet drejtësi. Në përvjetorin e kësaj masakre e cila bëri jehonë të madhe në botë, u tha se është data vendimtare për historinë e Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues ndërkombëtarë kanë thënë se askush nuk mund të harrojë apo mohojë atë që ndodhi ne Reçak.

Përmes një video-mesazhi, ish-ambasadori William Walker u shpreh se çdo vit prej kur ka ndodhur ky krim është rritur rëndësia për masakrën në Reçak. Ai ka kujtuar ditën kur ndodhi ky krim dhe ditë më pas kur me mijëra banorë të fshatit morën pjesë na varrimin e mbi 40 të vrarëve.

Presidentja Vjosa Osmani tha se 23 vjet më parë, bota kuptoi përfundimisht nga pamjet për krimet që po ndodhnin nga serbët në Kosovë.

Osmani: E vërteta e Reçakut është më e fuqishme se çdo propagandë tjetër (Video)

"Civilëve duarthatë mëngjesin e ditës së kobshme iu shua jeta mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidial të Sllobodan Millosheviq. Atë ditë Kodra e Bebushit ishte pasqyrim i krimit kundër njerëzimit, pasqyrim i krimit kundër shqiptarëve, qëllimit shfarosës dhe gjenocidal të regjimit të Sllobodan Millosheviqit... Tendencat për ta mohuar masakrën në Reçak janë përpjekje e qartë për rehabilitimin e atyre që kanë kryer krimin. Por, propaganda asnjëherë nuk mund t'i ndryshojë faktet historike. E sidomos jo një të vërtetë që ka ndodhur para syve të gjithë botës. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit dhe shpërfaqja e qëllimit për të zhdukur shqiptarët nga faqja e dheut. Reçaku është një nga masakrat e shumta të tmerrshme ku u dëshmua ky qëllim. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është përsëritje e krimit. Por, e vërteta e Reçakut është shumë më e fuqishme se çfarë do propagande", tha Osmani.

Po ashtu, në mesin e dhjetëra varreve, po qëndron bosh edhe varri i Sahide Metushit. Presidentja Osmani tha se secili prej këtyre varreve ka një histori tmerri dhe të pa kontestuar. Ajo u zotua se të vërtetën e Reçakut do ta thonë në çdo cak të Kosovës.

Në akademinë përkujtimore të 23-vjetorit të kësaj masakre, kryeministri Albin Kurti u shpreh se më 15 janar 1999, jehona e këtij krimi mbërriti në çdo cep të botës.

"Kjo histori nuk mund të harrohet e as të rishkruhet. Vrasja e qëllimshme në fund të ekzekutimit arbitrar nga forcat e armatosura të shtetit të Serbisë, ishte forma më e zakonshme dhe më e shpeshtë e vrasjeve sipas mënyrës së ekzekutimit në vend... Vetëm si masakër, çështja e merr dinjitetin mediatik, vetëm atëherë viktimat e krimit te caktuar mund të qajnë para një publiku që ka diçka në dorë. Duhet të shtohet aty edhe vëmendja e disa personaliteteve diplomatike që të ngrihet vëmendja. Duhej një mori faktorësh për të sjellë masakrën në skenën e gjithanshme politike. Sa masakra janë kryer nga aparati shtetëror në Bosnjë, të cilët nuk kanë pasur favorin e këtyre faktorëve. Masakra që i ka mbuluar varri, por mbeten dëshmi vatrat. Duhej një Reçak që NATO dhe perëndimi të kuptonin se kjo kasaphane nëse nuk ndalet, kthehet në katastrofë. Pikërisht këtë Reçak e mohon sot Serbia, sepse Reçaku është një datë vendimtare në shekullin tonë...Mohimi i gjenocidit është faza e fund fundit e gjenocidit. Mohimi vret dinjitetin e të mbijetuarve dhe kërkon të shkatërrojë kujtimin e krimit. Ne jemi kundër hakmarrjes, ne duam drejtësi dhe refuzojmë të harrojmë", ka deklaruar ai.

Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier tha se mohimi i kësaj masakre, synon të shkatërrojë kujtimin e popullit shqiptar.

"Jemi të vetëdijshëm për përpjekjet për të rishkruar historinë dhe keqinterpretuar faktet rreth mizorisë që ndodhi këtu. Siç ka thënë Bill Clinton dhe vërtetojmë sërish tani: Ky ishte një akt vrasës i qëllimshëm që synonte të mbillte frikë te Kosova. Mohimi i këtyre ngjarjeve dhe glorifikimi i krimeve çnderon kujtimin e të mbijetuarve, rihap plagët e kthen prapa rajonin. Paqja dhe drejtësia vijnë nga pranimi i qartë i krimeve të së kaluarës. Kjo është jetike që krimet e tilla të mos ndodhin. Pranimi i së vërtetës është vetëm hapi i parë kah drejtësia”, u shpreh Hovenier.

Nazif Shabani, i cili është djali i të mbijetuarit të kësaj masakre, Ramës, u shpreh se është rritur me kujtime të rënda të kësaj masakre, ku nuk gjetën asnjëherë qetësinë.

"Në këtë masakër mua m’u vra edhe axhë Bajrushi, m’u vranë edhe 11 të afërm të familjes. Më 15 janar 1999, unë isha dyvjeçar. Kujtimet e mia të fëmijërisë edhe të gjithë jetës sime prej kur mbaj mend janë mes atyre varreve tona. Janë kujtime të ftohta sikur ato varre e janë të rënda edhe sikur gurët e varreve. Është rritur mali, është rritur edhe malli për ata që prehen sot në Kompleksin Memorial. Jam rritur edhe unë me kujtimet e babait", tha ai.

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha se si 15-vjeçar kujton atë që kishte ndodhur 23 vjet më parë.

"Askush nuk u gjykua për këtë masakër, ende nuk u vendos kurrfarë drejtësie për ta. Masakra në Reçak zë një vend specifik, përmes ambasadorit amerikan William Walker, i cili në atë kohë e udhëheqësi misionin e verifikimit, bota e kuptoi që Serbia po kryente krime kundër njerëzimit në Kosovë. Masakra në Reçak ishte ajo që ndërgjegjësoi komunitetin ndërkombëtar", ka thënë ai.

23 vjet më parë, në kodrën e Bebushit u vranë dhe u masakruan 45 banorë të Reçakut, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq. Në afërsi të kompleksit është e ngritur edhe statuja e William Walkerit, njeriu i cili për herë të parë masakrën në Reçak e cilësoi krim kundër njerëzimit.