Kroacia kundërshton tensionet me Rusinë
Tensionet e larta mes Rusisë dhe Ukrainës dhe frika për një konflikt të mundshëm ka bërë që një sërë vendesh ballkanike të dalin me pozicione të prera kundër agresionit rus.
Pas Kosovës, e fundit që ka reaguar ka qenë Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Slavjanka Petrovska, e cila është shprehur të martën se ka mundësi që ushtria e vendit të saj të përfshihet në një luftë të mundshme mes NATO-s dhe Rusisë, nëse sulmohet Ukraina. Por qëndrimi i kundërt ka ardhur nga Kroacia, po ashtu një anëtare e NATO-s. Presidenti kroat Zoran Milanovic, ka thënë se nëse tensionet shkojnë drejt luftës, Kroacia do të tërheqë të gjithë ushtarët e saj. "Nëse ka një përshkallëzim, ne do të tërheqim edhe ushtarin e fundit kroat. Kjo nuk ka të bëjë fare me Ukrainën, por me politikën e Joe Bidenit, unë shoh mospërputhje dhe sjellje të rrezikshme. Ka mënyra të tjera për të ndihmuar Ukrainën", tha Milanovic. Ai ka akuzuar edhe kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic se është rreshtuar me Perëndimin sa i përket krizës së Ukrainës. Me Perëndimin janë rreshtuar edhe Kosova, Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia, por jo Serbia e Bosnjë-Hercegovina.