Vdes në burgun e Izdrovës ish-luftëtari i UÇK
(last modified Mon, 31 Jan 2022 09:51:03 GMT )
Janar 31, 2022 10:51 Europe/Tirane
  • Vdes në burgun e Izdrovës ish-luftëtari i UÇK

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhail Qerimi, ndërroi jetë në burgun e Idrizovës, në RMV pas 13 vitesh tentativa për të dëshmuar pafajësinë.

Ai akuzohet për sulmin ndaj një patrulle policie, në vitin 2008, ku humbi jetën një polic shqiptar dhe u plagosën dy policë maqedonas. Dyshimet për një hemorragji cerebrale ende nuk janë konfirmuar nga ekspertiza. Drejtoria e burgut sqaroi se Qerimit, i është ofruar ndihma e parë mjekësore, por pa rezultat.

Prokuroria në ekzaminimet e para ka konstatuar se në trupin e Qerimit nuk ka shenja dhune.

Nga ana tjetër, familjarët e ish-luftëtarit të UÇK konfirmojnë se ai nuk ka pasur asnjëherë problem shëndetësore, duke dyshuar për rrethana të paqarta të vdekjes.

Avokatja Artene Iseini kujton se për zbardhjen e këtij rasti dhe dëshminë e pafajësisë po punohet prej vitesh,

“Më tronditi jashtëzakonisht lajmi për humbjen e jetës së Rexhail Qerimit në burgun e Idrizovës. I shpreh ngushëllime familjarëve, bashkëshortes që 13 vite bredh gjykatave duke kërkuar drejtësinë e mohuar për bashkëshortin e saj”, tha avokatja.

Familjarët kanë angazhuar privatisht një agjenci serbe, e cila ka bërë ekspertizën e pamjeve nga kamerat e sigurisë, duke dalë në përfundimin se personat e dënuar për sulmin ndaj patrullës së policisë në 2008-ën nuk janë ata që shihen në video.

Tags