Eskobar dhe Lajçak takohen me zyrtarët dhe opozitën në Beograd
Gjatë vizitës në Beograd, Gabriel Escobar dëshiron që të takohet me sa më shumë aktorë politikë serbë, ka thënë parmes Twitter-it Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Serbi.
Zëvendësndihmës - Sekretari i Shtetit i SHBA-së dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak janë në një vizitë dy-ditore në Beograd. “BE-ja dhe SHBA-ja janë duke bashkëpunuar ngushtë për realizimin e së ardhmes evropiane të Kosovës dhe Serbisë, si vizioni i tyre i përbashkët, ndërkaq përparimi në normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella është një hap i rëndësishëm”, ka shkruar ambasada amerikane në një postim në Twitter. Pas takimit me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, Escobar dhe Lajçak janë takuar me shefin e diplomacisë serbe, Nikolla Selakoviq. Selakoviq tha se Serbia është e vendosur që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve fqinje dhe ka qëndrim të fuqishëm se të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes dialogut politik demokratik. Ai gjithashtu u tha bashkëbiseduesve se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Prishtinën dhe është i hapur për arritjen e një marrëveshjeje kompromisi që do të jetë reciprokisht e pranueshme. Selakoviq theksoi se gati nëntë vjet pas arritjes së marrëveshjes së Brukselit, Prishtina nuk e ka përmbushur pjesën e saj kryesore, që është formimi i Asoaciacionit të komunave me shumicë serbe.