Kurti takohet me Borrell: Marrëveshje me Serbinë vetëm mbi njohje reciproke
Qeveria e Kosovës është palë konstruktive që angazhohet për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Serbinë që në qendër ka njohjen reciproke.
Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit të zhvilluar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell në përfundim të konferencës së Mynihut, thotë zyra e shtypit e kryeministrit. Në takimin ku ishte e pranishme edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Kurti citohet të ketë thënë se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesave për takime të liderëve nëse ka vullnet të njëjtë nga pala serbe. Ai po ashtu tha se e mirëpret koordinimin e ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces të rëndësishëm.