Kërkohet drejtësi për viktimat e masakrës në Krushë të Madhe
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i124434-kërkohet_drejtësi_për_viktimat_e_masakrës_në_krushë_të_madhe
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi dhe qytetarë të shumtë morën pjesë në shënimin e 23-vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe ku forcat serbe vranë mbi 240 persona, përfshirë edhe gra e fëmijë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 26, 2022 08:42 Europe/Tirane
  • Kërkohet drejtësi për viktimat e masakrës në Krushë të Madhe

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi dhe qytetarë të shumtë morën pjesë në shënimin e 23-vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe ku forcat serbe vranë mbi 240 persona, përfshirë edhe gra e fëmijë.

Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij tha se janë duke u angazhuar në vijimësi për të sjellë drejtësi për të gjithë viktimat e luftës në Kosovë.

“Ne nuk përcaktojmë datë të fundit për dhënien e drejtësisë, por jemi të bindur që për këtë duhet të punojmë shumë dhe shpejtë. Ne duhet të ecim shpejt në vlerësimin e sakrificës sonë, dhe të angazhohemi shumë për drejtësi për ne”, tha Kurti.

Kryetar i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, po ashtu kujtoi gjithë të vrarët duke thënë që serbët kanë shkelur në mënyrë sistematike të drejtat e njeriut, ndërsa shtoi që dhimbjet do të pakësohen kur të zbardhet fati i të pagjeturve.

Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.

23 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës, përcjell KosovaPress.

Për kriminelët serbë masakra ishte diçka e zakontë, diçka që sipas tyre duhej të ndodhte vetëm me qëllimin të eliminimit të popullsisë shqiptare në Kosovë.

Në përkujtim të shënimit të kësaj date të dhimbshme do të mbahen homazhe dhe akademi përkujtimore, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.