RMV përkujton hyrjen në NATO, Osmani: Integrimi në BE rrit sigurinë
(last modified Mon, 04 Apr 2022 18:18:49 GMT )
Prill 04, 2022 20:18 Europe/Tirane
  • RMV përkujton hyrjen në NATO, Osmani: Integrimi në BE rrit sigurinë

Dita e anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut u përkujtua me mesazhe që dënojnë agresionin rus në Ukrainë dhe bëjnë thirrje për përfundimin e luftës.


Kryeministri Dimitar Kovaçevski, e quajti pushtimin rus si të paligjshëm duke i bërë thirrje që të tërheqë trupat ushtarake.  “I bëmë thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë armiqësitë dhe të tërheqë të gjitha trupat dhe objektet ushtarake nga Ukraina”. tha ai. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, i cili organizoi një mëngjes pune për ambasadorët e vendeve të NATO-s, rikujtoi rëndësinë e integrimit sa më të shpejtë të vendit në BE. “Situata e jashtëzakonshme në kontinentin evropian tregon se zgjerimi i BE-së është në radhë të parë politikë sigurie. Përshpejtimi i procesit integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor është thelbësore për ruajtjen e sigurisë së Evropës”, tha Osmani. Ministri i Jashtëm i RMV theksoi se pushtimi rus ndaj Ukrainës, kontribuoi për forcimin e unitetit të vendeve anëtare dhe për ta thelluar bashkëpunim që do ndihmojë planet e ardhshme për përforcimin e mbrojtjes së NATO-s. Që prej vitit 2020, Maqedonia e Veriut është anëtare e Aleancës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Tags