Kosova bëhet gati për aplikim në Këshill të Europës
Pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës, anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë po vlerësohet si diçka e mundshme.
Nga Qeveria e Kosovës thonë se janë duke punuar për aplikim në Këshill të Evropës, por ende nuk është vendosur koha. Ata thonë se ka vështirësi në këtë proces, por shprehen optimistë. “Ne kemi qenë duke punuar për Këshillin e Evropës, kjo punë është dinamizuar, se kur do të aplikojmë nuk është vendosur, por se do të aplikojmë kjo është e qartë…E di që cilësohet si një organizatë ku gjasat janë më të mëdha dhe kjo është e vërtet, por edhe vështirësitë janë të mëdha, pasi procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe kalon në disa faza dhe secila fazë ka vështirësitë e saja. Prandaj, ne me gjitha kapacitete tona por edhe ndihmën e akademikëve tanë, shoqërinë civile, jemi duke bashkëpunuar që t’i identifikojmë të gjitha këto vështirësi”, Kreshnik Ahmeti, zv. Ministër i Punëve të Jashtme. Optimistë për anëtarësimin e Kosovës janë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare. “I vetmi organ ndërkombëtar ku ne mund të anëtarësohemi shumë shpejtë dhe pa probleme ligjore është Këshilli i Evropës. Sa i përket procedurave është lehtë dhe shpejtë, pasi më shumë është vendim politik i vendeve anëtare të këshillit nëse ato e gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe ka një lobim të mirë nga ana e Kosovës, jo siç ka qenë më herët. Pra mos të bëjmë gafa diplomatike, pasi ato mund të na kushtojnë shumë. Nëse ka seriozitet nga palët, procesi mund të shkojë shumë shpejtë”, tha Dritëro Arifi, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Ndërkohë, ish zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha thotë se Qeveria Kurti nuk ka qasje serioze në rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. “Procesi vetvetiu është i dëmtuar kur nuk i qasesh serioz. Ai ka shpalosur jo seriozitetin e qeverisë së Kosovës. Këta bëjnë politikë të jashtme për qëllime të politikës së brendshme, përfitimin e disa votave nga qytetarëve, pa marrë parasysh rëndësinë e procesit. AI ka bërë së pari një gabim elementar diplomatik, pasi edhe po të ishte e saktë ai nuk mund të deklarohet veçmas pa pëlqimin e dy palëve. Po ashtu sipas praktikave, teksti në parim i dërgohet palës në pajtueshmëri dhe përputhje me atë që është biseduar. Ky i ka bërë dy gabime në mendimin se përfiton politikisht dhe njëjtën kohë ka dëshmuar jo seriozitetin e tij si një zyrtarë. Por nuk e dëmton Kosovës si një akti i vetëm, mungesa e procesit e pengon, pasi s’ka një gjë të tillë dhe nuk i njohin procedurat dhe nuk konsultohen”, u shpreh Berisha. Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në muajin shkurt, në Kosovë janë shtuar zërat dhe kërkesat për anëtarësim të menjëhershëm të vendit në organizata ndërkombëtare, si masë sigurie për vendin.
KFOR dënon sulmet në Veri: Të gatshëm të ndihmojmë policinë e Kosovës
KFOR-i ka dënuar ashpër sulmet e fundit ndaj policëve në veri të vendit, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur Policinë e Kosovës në rast se paraqitet kërkesa për një gjë të tillë dhe nëse shihet e nevojshme.
Një zyrtar i KFOR-it i tha KosovaPress-it se presin nga palët që të veprojnë me përgjegjësi për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve të mëtutjeshme. “Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe kërkohet. Ne presim që të gjitha palët të veprojnë me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive, dhe të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet, të ndikojnë negativisht në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, tha i njëjti. Katër sulme të sinkronizuara kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit në tri ditët e fundit. I fundit ka qenë mëngjesin e sotëm ku patrullat policore janë sulmuar me granatë dore dhe kallashnikov AK 47, mirëpo falë mjeteve të blinduara nuk ka pasur policë të lënduar. Sulmet nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti u quajtën terroriste.