Lajçak në Serbi: Presim të zbatohen të gjitha marrëveshjet e dialogut
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç të mërkurën, tha se shtetet e unionit presin që të dyja palët të zbatojnë të gjitha gjërat për të cilat janë marrë vesh gjatë dialogut të zhvilluar në dhjetë vjetët e fundit.
Sipas një njoftimi të publikuar nga Presidenca serbe, Lajçak tha se do të vazhdojë të angazhohet për vazhdimin e dialogut nën ndërmjetësimin e BE-së, pa vonesa të mëtejme. Ndërkaq, në një postim në Twitter, Lajçak tha se ka biseduar me Vuçiçin për të gjitha çështjet që aktualisht janë në agjendë, përfshirë edhe për takimin e ri të nivelit të lartë. Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për herë të fundit janë takuar në kuadër të dialogut në korrik të vitit 2021.