Presidenti i ri, nis zyrtarisht procesi
Sot nisin zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Në orën 12:30, Konferenca e Kryetarëve do të diskutojë dhe përcaktojë datën e raundit të parë të votimit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Për këtë Partia Socialiste ka propozuar datën 10 maj, ndërsa Partia Demokratike ende nuk është shprehur për një datë të caktuar. Nëse në raundin e parë asnjë prej kandidatëve nuk do të marrë 84 vota, atëherë jo me vonë se 7 ditë vijohet me raundin e dytë, i cili kërkon po aq vota sa i pari. Palët kanë mundësi të votojnë një emër konsensual deri në raundin e 3-të, në të kundërt mazhoranca mund ta zgjedhë e vetme me 71 vota në raundin e 4-të dhe të 5-të. E gjithë procedura e zgjedhjes së presidentit të ri pritet të përmbyllet brenda këtij muaji. Deri më tani asnjë prej grupeve parlamentare nuk ka mbështetur publikisht një kandidat të caktuar. E vetmja procedurë që është kryer është ajo brenda grupit parlamentar socialist, ku secili prej deputetëve ka propozuar 3 emra të cilët nuk janë bërë publik. Kryeministri Rama ka përjashtuar mundësinë që presidenti i ri të jetë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Po ashtu, ka përjashtuar edhe emrin e Vali Bizhgës, drejtoreshës së kabinetit në kryeministri, një emër i lakuar nga ish-kryeministri Berisha.