EULEX: Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka sfiduar sigurinë në Evropë
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i126900-eulex_lufta_e_rusisë_kundër_ukrainës_ka_sfiduar_sigurinë_në_evropë
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në shenjë uniteti dhe solidaritetit mes popujve të Evropës, shënoi Ditën e Evropës me një paradë të Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) dhe Njësisë Policore të Specializuar Rezervë (NJPSR).
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
May 09, 2022 11:35 Europe/Tirane
  • EULEX: Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka sfiduar sigurinë në Evropë

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në shenjë uniteti dhe solidaritetit mes popujve të Evropës, shënoi Ditën e Evropës me një paradë të Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) dhe Njësisë Policore të Specializuar Rezervë (NJPSR).

“Gjatë kësaj ceremonie u luajt himni evropian “Ode to Joy” teksa zyrtarët policorë të EULEX-it e ngritën flamurin e BE-së. Festimi i Ditës së Evropës u përmbyll me një paradë të zyrtarëve policorë polakë të NJPS-së së EULEX-it dhe xhandarmëve portugez dhe francezë nga NJPSR e EULEX-it përpara Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomš Szunyog, Shefit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, dhe përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së”, njofton zyra për informim e EULEX-it.

Sipas këtij njoftimi, shënimi i Ditës së Evropës këtë vit është më i rëndësishëm se kurrë, pasi paqja dhe siguria në Evropë është sfiduar për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila mund të ndikojë gjithashtu në stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

“Si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, EULEX-i ndodhet në Kosovë në emër të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij për të ofruar një nivel sigurie shtesë dhe për t’i siguruar partnerët kosovarë të tij që BE-ja është tejet e interesuar për një Kosovë të qëndrueshme dhe paqësore”, thuhet tutje në komunikatën e EULEX-it.