Shqipëria merr drejtimin e Këshillit të Sigurimit të OKB
Shqipëria ka marrë sot drejtimin e Këshillit të Sigurimit të OKB.
Prioritetet e Shqipërisë për muajin qershor i bashkohen prioriteteve tona të përgjithshme për mandatin tonë në Këshill dhe janë të lidhura me respektimin e së drejtës ndërkombëtare, forcimin e llogaridhënies, avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, marrëdhëniet e OKB-së me organizatat rajonale dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit, u shpreh ambasadori i Shqipërisë në OKB Ferit Hoxha, në fjalën e parë pasi Shqipëria mori presidencën e Këshillit të Sigurimit në OKB. Hoxha bëri me dije se presidenca shqiptare do të nisë punën me një debat të hapur të nivelit të lartë për forcimin e llogaridhënies për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare. Këtë debat do e drejtojë kryeministri Edi Rama ditën e nesërme, temë e cila do të jetë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për anëtarët e tjerë. Shqipëria i është bashkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si anëtar jo i përhershëm.