Turistët e huaj të prirur të vizitojnë objektet e kultit
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i128624-turistët_e_huaj_të_prirur_të_vizitojnë_objektet_e_kultit
Mungesa e investimeve në objektet e kulteve ka bërë që turizmi kulturor të mos shfrytëzohet në vendin tonë.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Qershor 13, 2022 09:03 Europe/Tirane
  • Turistët e huaj të prirur të vizitojnë objektet e kultit

Mungesa e investimeve në objektet e kulteve ka bërë që turizmi kulturor të mos shfrytëzohet në vendin tonë.

Këtë vit, duket se pikërisht ky lloj turizmi do të jetë ne fokusin e bashkive të juglindjes dhe ministrisë së kulturës e asaj të turizmit. Qarku i Korçës ka potencialin për të zhvilluar turizmin kulturor. Kështu janë dakortësuar aktorët e Komitetit Rajonal të Turizmit, i cili është mbajtur në Pogradec. Për Gjergji Kokin, drejtorin e monumenteve të kulturës në Korçë harmonia fetare dhe objektet e kultit po tërheqin vëmendjen e të huajve. “Vitet e fundit është parë që të gjitha grupet që vizitojnë Shqipërinë, që janë grupe të huajsh kanë një interes të shtuar për turizmin kulturor. Ai është interesi më i madh që ata kanë, përveçse shijojnë gastronominë e jashtëzakonshme e kanë të pamundur të shkëputen nga objektet e kultit dhe objektet të cilat gjenerojnë trashëgimi”, thotë Koki. Për këtë arsye, ministria e kulturës ka ndërmarrë një nismë e cila synon investimin në objektet e vjetra fetare. Myftiu i Xhamisë së Korçës tregon se ka besimtarë muslimanë kryesisht nga Ballkani që kanë interest ë vizitojnë xhamitë. “Vijnë vizitorë nga Maqedonia, Kosova dhe nga trevat e tjera të Ballkanit ku vizitojnë xhaminë Iljaz Bej Mirahori. Normalisht një vlerë e tillë, perlë nuk mund të anashkalohet nga pjesa e besimtarëve të cilët vijnë, vizitojnë, me pjesën karakteristike të saj, është një nga ato bukuritë që zbukuron qytetin e Korçës”, tha Ledian Cikalleshi. Qarku i Korçës ka me dhjetëra objekte fetare qindravjeçare, ndërkohë në fokus të Komitetit Rajonal të Turizmit ka qenë dhe bashkëpunimi midis 6 bashkive të këtij qarku.