Qeveria u bën thirrje bankave të investojnë në teknologji
Sistemi bankar duhet të jetë më pro teknologjisë, që ekonomia e Shqipërisë të mos jetë më e varur nga paraja që qarkullon në dorë.
Thirrja bëhet nga qeveria, e cila thotë se është e hapur për bashkëpunim. Bankat duhet të investojnë më shumë për teknologjinë për të lehtësuar shërbimin me klientët dhe vetveten. Me këtë këshillë, zv/kryeministri Arben Ahmetaj foli për të mirat që ka sjellë e-Albania me mbylljen e sporteleve dhe shërbimet online. “Nëse ju thoni se keni investuar 75 mln euro në dixhitalizim, e dini se sa ka investuar qeveria, s’ua them se do ju vijë zor. Disa herë më shumë ka investuar qeveria. Qeveria ka një milionë halle më shumë. 75 mln si bie as 17 mln në vit. Qeveria ka bërë hapa të pakrahasuara në dekada”, u shpreh Ahmetaj ndaj përfaqësuesve të bankave. Por, dixhitalizimi i mëtejshëm, ofrimi i shërbimeve, hapja e llogarive apo nënshkrimi në distancë kërkojnë ndryshime ligjore dhe ngritjen e një depozitari të të dhënave biometrike. “Vëmendje i kemi kushtuar dhe hartimit të kuadrit ligjor për krijimin e llogarisë bazike, kuadër ky i cili synon të nxisë më tej përfshirjen financiare të popullsisë. Vlerësojmë se miratimi i këtij ligji dhe zbatimi i tij nga tregu është tepër i rëndësishëm sa i përket digjitalizimit të shërbimeve financiare, por edhe atyre qeveritare”, u shpreh Guvernator i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Ndërkohë, ministrja e Financave tha se ekonomia nuk duhet të jetë e varur nga paratë Cash. Ajo u shpreh, se qeveria është e hapur për ndryshime në formën e pagesave, përfshi edhe rishikimin e pragut 150 mijë lekë, mbi të cilin nuk mund të blesh me para në dorë. “Maksimumi i pagesës përmes Cash-it është 150 mijë lekë. Diskutimet e sotme mund të na ndihmojnë në arritjen e një limiti tjetër për përdorimin e Cash-it në tregti”, tha ministrja Delina Ibrahimaj. Këto dhe të tjerë probleme në sektorin bankar u ngritën në forumin me temë “Digjitalizimi dhe Cash-i, organizuar nga Shoqata e Bankave.