Shqipëria do të prodhojë energji elektrike nga era, thotë Balluku
Shqipëria do të ndërtojë parqe eolike për të prodhuar energji elektrike nga era. Lajmin e jep, ministrja Belinda Balluku, e cila thotë se ankandi është i hapur për kompanitë që kanë interes.
Shqipëria po kërkon të rritë prodhimin e energjisë me burime të rinovueshme. Pjesë e projektit, tashmë janë edhe parqet eolike, të cilët krijojnë energji përmes erës. Për ministren Belinda Balluku, disa kompani ndërkombëtare duan të investojnë në këtë fushë. “Një ankand i dytë, pasi atij të impianteve fotovoltaike, impiantet e erës. Në datën 9 qershor, skuadra ime e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me prezencën e skuadrës së IBRD, kanë hapur fazën e parë të shprehjes së interesit përsa i përket këtij ankandi për ndërtimin e parqeve 100 megavat në Republikën e Shqipërisë. Dhe ka deri më tani 9 pjesëmarrës”, tha Balluku. Ankandi për impiantet e erës, që pason dy ankandet e zhvilluara për dy parqet fotovoltaike, në Karavasta dhe Spitallë kërkon 1 vit kohë për të shpallur kompaninë fituese. “Verbundi austriak, tek Total francez, të cilët kanë shprehur interes për të marrë pjesë në fazën e dytë dhe për të pasur pas një viti një fitues edhe në këtë fushë”, u shpreh Balluku. Balluku deklaroi se Shqipëria tashmë është një vend i sigurt për investime nga të huajt, dhe këtë e ka dëshmuar prej disa vitesh.