Të gjitha marrëveshjet e dakorduara Kosovë-Shqipëri
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i128970-të_gjitha_marrëveshjet_e_dakorduara_kosovë_shqipëri
RTKlive sjell në vazhdim të gjitha marrëveshjet për të cilat të dy qeveritë janë dakorduar.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Qershor 20, 2022 10:07 Europe/Tirane
  • Të gjitha marrëveshjet e dakorduara Kosovë-Shqipëri

RTKlive sjell në vazhdim të gjitha marrëveshjet për të cilat të dy qeveritë janë dakorduar.

Marrëveshjet e Ministrive të Arsimit

Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi dhe zëvendësministri i Arsimit të Kosovës, Dukagjin Pupovcim, njoftuan për fillimin e zbatimit të marrëveshjes mes dy vendeve në fushën e arsimit të lartë.

Bazuar në këtë marrëveshje, në 19 universitetet shqiptare, nga Gjirokastra e deri në Mitrovicë, duke nisur nga viti i ri akademik, procesi i regjistrimit të studentëve në universitetet publike, do të bëhet në mënyrë të barabartë.

Marrëveshjet në Ministrive të Punëve të Brendshme

Ministrat e Punëve të Brendshme të Kosovës e Shqipërisë, Xhelal Sveçla e Blendi Çuçi, njoftuan për zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve në kalimin e lirë të kufirit.

Ministrat nënshkruajnë protokollin për kalim –lehtësimin e kufirit të banorëve brenda brezit kufitar.  Gjithashtu, këta njoftuan edhe për marrëveshjen për shkëmbime të dhënash reale për të martuarit në vendet respektive.

Marrëveshjet e Ministrive të Financave

Bashkëpunim të mirë në fushën doganore. Ka marrëveshje për ulje të burokracive në kalimin e mallrave. Do të nënshkruhet sot marrëveshje për bashkëpunim doganor.

Grupet punuese pritet të punojnë që para mbledhjes së ardhshme të dy qeverive në muajin nëntor, pritet të ketë një marrëveshje për bashkim doganor.  Marrëveshje tjetër është ajo për sigurimet shoqërore.

Marrëveshje për energjinë

Mundësitë e bashkëpunimit në ndërtimin e infrastrukturës së gazit dhe TEC-it të Vlorës si dhe angazhim për diskutime teknike. U tha se synimi është që përmes marrëveshjes të përballohet kriza me energji elektrike.  Kjo pë shkak se këtë vjeshtë, ministrat përkatës thanë se pritet që Evropa të ballafaqohet me probleme me gaz dhe energji, si pasojë e luftës Rusi-Ukrainë. U tha se marrëveshjet janë  që tepricat e rrymës të barten nga njëri vend te tjetri si dhe detaje të tjera.

Marrëveshje në bujqësi

Dy marrëveshje për bashkëpunim për fushën e zbatimit të mbështetjes së programeve dhe ajo për mbështetje teknike mes dy agjencive për sigurimin ushqimor. Marrëveshje tjetër është edhe ajo për ndarjen e të dhënave në fushën e bujqësisë sa i përket çmimeve.

Marrëveshje mes ministrive të Infrastrukturës

Marrëveshje për studimin e gjendjes së rrugëve të fshatrave të brezit kufitar dhe fshatrave që janë në zona të thella malore. Marrëveshja ka të bëjë me rregullimin e infrastrukturës së këtyre fshatrave dhe qasje më të lehtë në qytete. Ndodhë që rrugët në njërën anë ndërtohet deri afër kufirit e pjesa tjetër mbetet pa rrugë. Por kjo marrëveshje mundëson që një kompani që ndërton një rrugë në Shqipëri të ndërtojë edhe në pjesën e Kosovës apo e kundërta.

Marrëveshja për hekurudhën

Ministritë e Infrastrukturës nënshkruajnë marrëveshje për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Për studimin e fizibilitetit, Kosova do të financojë rreth 900 mijë euro e Shqipëria rreth 1 milion euro.

Marrëveshje në shëndetësi

Ministrat nënshkruajnë marrëveshje në fushën e shëndetësisë për ofrim të shërbimeve mjekësore të qytetarëve në zonat kufitare, shkëmbimin e  ekspertëve e gjithashtu marrëveshje për bashkëpunim në fushën farmaceutike.

Me këtë marrëveshje, mjekët mund të punësohen në kohë të caktuara në spitalet ndërkufitare e më vonë do të shtrihet dhe në spitale të tjera.

Marrëveshje në turizëm

Platformë e përbashkët digjitale të turizmit.  Platforma do të paraqesë dy vendet si cak për turizmin. Gjithashtu përveç shqiptarëve, do të jetë platformë edhe për informim të vizitorëve të huaj.

Marrëveshje për rininë

Bashkëpunim mes të rinjve në të dy vendet. Shkëmbim dokumentesh për rininë. Janë bërë bashkë të rinjtë në takime për debat dhe për të krijuar afërsi. Me marrëveshjen e re, ministritë e Rinisë zotohen për shkëmbim të të rinjve dhe projekteve për të rinjtë. Kushte më të favorshme për nxitje të të rinjve me aktivitete të përbashkëta. Me kalendarin e përbashkët të aktiviteteve, synohet përbashkimi i të rinjve.

Marrëveshje në fushën e mbrojtjes

Pas agresionit rus në Ukrainë, u tha se rajoni i Ballkanit është i brishtë. Për këtë arsye, janë intensifikuar  kontaktet dhe aktivitetet e përbashkëta. Në këtë rast, u përmend edhe prezenca e Kosovës në selinë e NATO-s, krahas 55 vendeve, ku ishte në krah bashkë me vendet tjera të aleancës të mbajtur në Bruksel. Me këtë rast, dy shtetet arrijnë marrëveshje për mbrojtjen civile në kërkim shpëtim dhe ujërave territoriale.

Bashkëpunim në drejtësi

Bashkëpunimi gjyqësor mes dy vendeve të shtrihet dhe në fushën civile e tregtare dhe tashmë ka një marrëveshje të tillë mes të dy vendeve. U tha se do të ketë efekt direkt tek qytetarët. Bashkëpunimi në këtë fushë të shtrihet dhe tek njohja e licencave të avokatëve,  ndërmjetësve e provimeve të jurisprudencës.

Marrëveshja për financimin e enciklopedisë shqiptare

U tha se kjo është një vepër e munguar prej shumë kohësh. Kjo është një vepër që parashikon në 11 vëllime dhe që do të përmbajë gjithë korpusin e përgjithshëm të popullit shqiptar. Do të jetë një vepër për të cilën do të angazhohen dy Akademitë e Shkencave kurse qeveritë e Kosovës e Shqipërisë do të bëjnë financimin.

Rama: Besoj se nga ky sezon në kufi nuk do të ketë më pritje

(E plotësuar: Ora: 11:50) Pas fjalës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e dy kabineteve qeveritare, foli kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Kreu i qeveris shqiptare fillimisht u ndal te disa pika që tregojnë rezultatet konkrete. Ai tha se falënderon Kurtin  dhe të gjithë të pranishmit në këtë mbledhje

“Po them disa shifra domethënëse nga kur kemi filluar punën. Kemi pas 160 milionë euro shkëmbime tregtare në vitin 2017, kurse më 2021 kemi 433 milionë. E dyta sot në Shqipëri kemi 1245 biznese kosovare”, tha kryeministri, dhe përmendi se ka edhe shumë ndërmarrje të përbashkëta.

Rama tha se investimet e Kosovës në Shqipëri në vitin 2017 ishin 9 milionë, e në 2021-n 139 milionë. Sipas tij, kjo shifër është domethënëse, e mundësitë për rritjen e investimeve janë të dukshme.

“Kemi mundësi që të shtojmë volumin e investimeve edhe më tutje. Kemi një protokoll të nënshkruar më 2019 ku kemi nënshkruar qarkullimin e lirë në kufi. Besoj se kryeministri është dakord që në këtë sezon është e palejueshme të kemi probleme të natyrës që kemi pasur deri vjet, radhë të pafundme për shkak të kontrolleve një për një të makinave që vijnë drejt Shqipërisë", tha Rama dhe shtoi se pret që të mos ketë më radhë.

Kreu i qeverisë shqiptare foli edhe për projektin e Portit të Durrësit, që sipas tij, është me rëndësi strategjike, pasi ka brenda të integruar hekurudhën Durrës-Prishtinë.

“Sot më vjen shumë mirë që kemi ardhur bashkë me përfaqësues të kompanisë prestigjoze për të prezantuar studimin e portit të Durrësit, i cili faktikisht shtrihet nga Durrësi në Prishtinë me portin pritës në Durrës, dhe në portin e thatë të Prishtinës Po shikojmë për lidhjen e portit të Durrës me portin e thatë të Kosovës që përbënë një projekt të rëndësishëm”, tha Ram për të shtuar se beson që bashkërisht të ia dalin ... Po shikojmë për lidhjen e portit të Durrës me portin e thatë të Kosovës që përbënë një projekt të rëndësishëm”, tha Ram për të shtuar se beson që bashkërisht të ia dalin.

“Rezultati i përbashkët  duhet të jetë edhe projekti madhor i dy akademive për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare dhe kemi projektin tjetër të përbashkët për Abetaren ... Ne kemi folur edhe me përfaqësuesit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, edhe me kryeministrin e Malit të Zi dhe do të flasim edhe me Serbinë që kjo abetare e unifikuar të shkojë tek të gjitha familjet shqiptare. Edhe në diasporë gjithashtu. Do ta kemi abetaren e unifikuar kudo që kërkohet.”.

Në mbledhjen e 8-të të përbashkët të dy qeverive, kryeministri Rama ka propozuar edhe kuvendin e parë të përbashkët në nëntor. "Në nëntor të zhvillojmë të parin Kuvend të përbashkët, ku dy parlamentet tona të mblidhen në një dhomë. Po u ra dakord të na jepet dhe mua dhe Albinit privilegji të adresojmë këtë dhomë të përbashkët të kuvendit", tha Rama. 

Kurti: Veti e këtyre mbledhjeve janë rezultatet

(E plotësuar: Ora: 11:33) Po mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Kosovës e Shqipërisë në Prishtinë. Të pranishëm janë kryeministrat Albin Kurti e Edi Rama dhe kabinetet qeveritare.

Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti i bëri një rezyme rezultateve të marrëveshjeve të të dy qeverive nga mbledhjet e mëparshme të përbashkëta.

Kurti tha se para pak ditësh, Kosova festoi çlirimin duke përkujtuar, edhe dëshmorët dhe luftëtarët nga Shqipëria dhe ndihmën e popullit shqiptar dhanë për atë të Kosovës, në kohën kur ishin refugjatë.

“Bashkëpunimi në kohë paqe duhet ta rindezë atë ndjejnë të solidaritetit dhe bashkëpunimit që kishim në kohë të luftës”, tha Kurti.

“Ky bashkëpunim nuk ka qenë asnjëherë më i gjerë dhe intensiv”.

Kryeministri i Kosovës u shpreh se bashkëpunimi në të gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike të vendeve e jo që ato të mbesin në fund.“Bashkëpunimin e integrimin brenda kombit e kanë ndihmuar praktikat e njohura të BE-së. E anëtarësimi ynë në BE mbetet synim”, tha Kurti.

Ai u shpreh se kjo mbledhje mbahet gjashtë muaj pas asaj në Shqipëri.

“Janë zbatuar të gjitha ato marrëveshje përveç njërës që pritet të hyjë në fuqi së shpejti”, tha ai, duke shtuar se kështu do të veprohet dhe në vazhdim.

Megjithatë, ai rikujtoi se kështu nuk ishte më parë, kur nga 127 marrëveshje që janë nënshkruar përgjatë viteve,  janë zbatuar vetëm 75 të tilla  pa probleme.

“Të gjitha marrëveshjet që do të miratohen sot kanë për synim lehtësimin e jetës së qytetarëve”, theksoi Kurti në fjalën e tij.

Kryeministri Kurti tha se veti e këtyre mbledhjeve është sepse  flitet me gjuhën e rezultateve.

“Proceset integruese janë të gatshme e të bazuara në praktikat më të mira botërore e sidomos atyre të BE”.

Ai shprehu besimin se gjashtë  muaj më pas do të ketë rezultate të tjera.

“Shqiptarët jetojnë më mirë se kurdoherë më parë, por krahasimi me vetveten nuk është matësi më i mirë. Progresin tonë duhet matur  me atë të vendeve të zhvilluara”.

Kryeministri Kurti tha se kjo mundësi historike që u është dhënë për të shërbyer, do të jetë edhe mundësi historike për ta  gjykuar punën e tyre.