Rritja e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri, në kushte mbijetese mijëra familje
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i129470-rritja_e_çmimeve_të_ushqimeve_në_shqipëri_në_kushte_mbijetese_mijëra_familje
Rritja e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve e ka përkeqësuar situatën për mijëra familje në kushtet e varfërisë në Shqipëri.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Korrik 04, 2022 03:36 Europe/Tirane
  • Rritja e çmimeve të ushqimeve në Shqipëri, në kushte mbijetese mijëra familje

Rritja e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve e ka përkeqësuar situatën për mijëra familje në kushtet e varfërisë në Shqipëri.

Qarku i Gjirokastrës është nga më të prekurit, ku një pjesë e madhe e familjeve me ndihmë ekonomike jetojnë në zonat ku papunësia prej vitesh është e lartë. Institucionet shtetërore të mbrojtjes sociale thonë se 6 muajt e fundit kanë rritur ndihmën për familjet me shumë pjesëtarë. Tregu i sendeve të përdorura është nga vendet më të populluara të Gjirokastrës, një tregues i varfërisë së qindra familjeve që nuk arrijnë të sigurojnë dot të ardhura për të plotësuar nevojat. Por kohët e fundit rritja e çmimeve të ushqimeve po i shtyn qindra familje në kushte mbijetese. Në një nga lagjet e Gjirokastrës që quhet “Blloku i furrave”, Pëllumb Kuci, 55 vjeç, thotë se është i papunë dhe e shënon emrin në lista për të marrën bukën e përditshme në një njësi ushqimesh fare pranë banesës. “Jeta është bërë e vështirë pasi çmimet janë rritur tej mase dhe është e pamundur ta përballosh. Unë aktualisht nuk kam asnjë të ardhur, figuroj i papunë”, thotë ai. Pëllumbi po përpiqet të gjejë një punë, por është edhe në proces të kërkimit të ndihmës ekonomike në Bashki. Ai thotë më tej se deri para pak kohësh jetonin në familje me pensionin e të atit, i cili ndërroi jetë. “Thuaj me atë pensionin e tij rrotulloheshim, ndërsa tani po të vesh tek ai dyqani ushqimor mund të shohësh që e marrim bukën me listë. Është viti 2022 dhe e hamë bukën me listë”, thotë ai.