Sulmi ndaj uzinës së Gramshit
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i131184-sulmi_ndaj_uzinës_së_gramshit
Incidenti në Uzinën e Gramshit, ka ndodhur rreth orës 17:40 pasi roja ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Gusht 21, 2022 04:28 Europe/Tirane
  • Sulmi ndaj uzinës së Gramshit

Incidenti në Uzinën e Gramshit, ka ndodhur rreth orës 17:40 pasi roja ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit.

Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë. Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi  ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij. Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij. Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç. Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Shërbimet e Policisë  bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25  vjeç. Të tre personat aktualisht janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera po vijon hetimet mbi ngjarjen e ndodhur. Në vendngjarje ndodhen edhe përfaqësues të Policisë Ushtarake dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Ndërsa dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.