Marrëveshja Kosovë-Serbi për lëvizjen e lirë, vjen reagimi i NATO-s
(last modified Mon, 29 Aug 2022 05:15:06 GMT )
Gusht 29, 2022 07:15 Europe/Tirane
  • Marrëveshja Kosovë-Serbi për lëvizjen e lirë, vjen reagimi i NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket kalimit kufitar në mes të dy vendeve.

Stoltenberg përmes një postimi në Twitter ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq që çështjet e pazgjidhura t’i zgjidhin përmes dialogut. “E mirëpres marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja për lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë i inkurajoj të dy, presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura përmes dialogut politik”, ka shkruar Stoltenberg. Ai ka shtuar se megjithatë KFOR-i mbetet vigjilent sa i përket sigurisë. Edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka vlerësuar dialogun mes Kosovës dhe Shqipërisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe SHBA-së, që solli një marrëveshje për dokumentet e identifikimit. Përshëndes marrëveshjen që lehtëson udhëtimin e shtetasve mes Kosovës dhe Serbisë, në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve. Vlerësim për dialogun që sjell rezultate dhe mirënjohje për mbështetjen e BE dhe SHBA”, shkruan Begaj në reagimin e tij. Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha se Serbia dhe Kosova arritën një marrëveshje mbi lëvizjen e qytetarëve të të dyja vendeve. Marrëveshja pasoi një periudhë përpjekjesh diplomatike amerikane dhe evropiane për të shmangur tensionet në terren që shpërthyen më 31 korrik pas reagimeve serbe ndaj vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohet nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi tash e mbi dhjetë vjet me radhë.

 

Tags