“Vjedhje spektakolare”, PD denoncon sërish abuzimet në bashkinë e Vaut të Dejës
Partia Demokratike vijon të denoncojë aferat korruptive në bashkinë Vau i Dejës. Nënkryetari i PD dhe njëherazi kreu i grupit parlamentar demokrat, Luçiano Boçi deklaroi gjatë një konference për shtyp se institucioni i bashkisë ka kryer likuidime për projekte të panderuara, kryesisht objekte shëndetësore dhe arsimore.
Po ashtu në denoncimin që ka bërë, Boçi theksoi se bëhet fjalë për një abuzim në shifrën e 100 milion lekëve, paraqitur si shpenzime për ‘Hartim Projektesh’ për vitin 2020. Sipas tij, janë likujduar projekte të patenderuara, një rikonstruksion, plus shtesë, për shkollën 9 vjeçare Hajmel dhe rikontruksion për shkollën Barbullush. Po ashtu sipas tij janë marrë në dorëzim projekte të patenderuara, me vlerë rreth 20 milion lekë, objekte qendrash shëndetësore, të cilat janë në fakt në varësi të Ministrisë Shëndetësisë: ndër to qendra shëndetësore Mjedë, e tenderuar nga ministria e linjës me dt. 30 mars 2020. “I patrembur nga faktet dhe arsyeja, Bashkia e Vaut të Dejës vendos të bëjë rikonstruksion të plotë të shkollës. Bashkia projekton disa rikonstruksione kopshtesh sipas një modeli copy/paste të Kopshtit 34 në Tiranë. Pra, është marrë preventivi i rikonstruksionit të këtij kopështi, 150 km më larg, madje është kopjuar edhe skenari tiranas, në të cilin 5 familje banonin në ndërtesën e kopshtit”- tha ndër të tjera Baçi. Gjithashtu, për kopshtin e Vau të Dejës, sipas ‘detyrës së projektimit’ flitet për rikonstruksion në vitin 2000. Ndërkohë sipas fakteve dhe shkresave është ndërtuar i ri në vitin 2009. Ndërtesa është 2 katëshe, jo 1 katëshe, siç thuhet po aty. Të gjitha këto shkelje janë pasqyruar në padinë që ka çuar në SPAK dega e PD të Vaut të Dejës. U bë më shumë se një vit që është bërë kjo dhe nuk ka asnjë reagim nga Prokuroria e Posaçme. “U bëjmë thirrje që, nëse nuk i tërheq ligji dhe e drejta, të paktën ta lexojnë dosjen sepse aty ka letërsi fantastike. Sidomos skena me 5 familje, që kanë zaptuar të gjitha kopshtet e Bashkisë së Vaut të Dejës, ne na pëlqen shumë”- shton më tej Baçi.