Kurti: Vetingu në Kosovë mund të përfitojë nga përvoja e Shqipërisë
Kryeminsitri, Albin Kurti ka pritur në takim ministrin shqiptar të Drejtësisë, Ulsi Manja. Fokus në bisedat mes tyre ishte procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë, ka njoftuar zyra kryeministrore.
“Synimet tona dhe përvoja e Shqipërisë përbëjnë një kuadër të rëndësishëm të bashkëpunimit. Gjatë takimit u diskutuan shembujt praktikë dhe sfidat konkrete në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në të dy vendet. Kryeministri Kurti tha se vetingu në Kosovë mund të përfitojë shumë nga përvoja dhe mësimet e Shqipërisë”, tregon zyra për media e kryeministrisë.
Ndërkohë ministri Manja tha se Shqipëria do të ofrojë ekspertizën më të mirë në ato fusha ata si shtet kanë shënuar sukses, por në të njëjtën kohë si shprehu interesimin për të marrë edhe nga përvojat e Kosovës në fushat ku kjo e fundit ka bërë më shumë progres.
Në këtë takim Kurti dhe Manja janë pajtuar se drejtësia dhe sundimi i ligjit janë themele të sigurta që garantojnë mirëqenie të qytetarëve.
Është bërë e ditur se ministritë e Drejtësisë nga të dyja vendet përveç grupeve teknike që funksionojnë në shërbim të zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe në fushën e drejtësisë, tash e tutje do të kenë edhe një person në nivel të kabineteve politike, përgjegjës për mbulimin e të gjitha komunikimeve ndërmjet dy ministrive.
RTK