Analistët: Kosovës mund t’i ofrohet integrimi në institucione ndërkombëtare
Ekzistimin e një propozimi gjermano-francez në lidhje me dialogun dhe arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, e konfirmoi dje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Por, njohës të rrethanave politike në vend thonë se në planin gjermano-francez njëra nga pikat që mund t’i ofrohet Kosovës është integrimi në institucione ndërkombëtare, por pa njohje reciproke me Serbinë.
Ndonëse fillimisht u mohua ekzistimi i një kornize të re për dialogun, propozim i dy shteteve më me ndikim në Bashkimin Evropian, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi dje se ka një iniciativë gjermano-francez për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.
Ekzistimin e propozimit gjermano-francez e paralajmëroi ditë më parë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, Franca dhe Gjermania po kërkojnë që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB e organizata të tjera, por pa e njohur vetë pavarësinë e Kosovës.
Duke komentuar atë se çfarë mund të përmbajë propozimi i cili akoma nuk është publik, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, thotë për Radio Kosovën se në propozimin gjermano-francez mund të kërkohet nga Serbia që të mos e pengojë Kosovën në integrimet ndërkombëtare.
“Njëra nga pikat që mund t’i ofrohet Kosovës është integrimi në institucione ndërkombëtare, por pa njohje reciproke me Serbinë. Njëfarë mënyre vetëm njohje faktike, por jo edhe njohje ligjore. Pra, nëse kemi njohje nga pesë vendet e BE-së, që mundësojnë edhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE, atëherë njohja nga Serbia do të ishte e parëndësishme”, tha ai.
Nëse ka një ofertë të tillë, Arifi vlerëson se Kosova duhet të mendojë si kompromis krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Krijimi i Asociacionit, duhej të bëhej nga këndvështrimi im, vetëm në dy mënyra; e para, njohja nga Serbia e që po vërehet se as BE-ja dhe as SHBA-ja nuk janë të gatshme ta detyrojnë Serbinë që ta njohë Kosovën, dhe e dyta – Asociacioni duhet të bëhet vetëm në rastin kur kemi njohje nga pesë vendet e BE-së”, tha ai.
Në një prononcim për RTK-në, propozimin gjermano-francez për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi e ka komentuar edhe profesori universitar, Afrim Hoti.
“Në horizont shihet një interesim i jashtëzakonshëm franko-gjerman, për t’i dhënë epilog problematikës Kosovë-Serbi. Kjo vije si rezultat i mungesës së kapaciteteve të Bashkimit Evropian si organizatë për të ofruar një gjë të tillë, kjo për shkak të pozicioneve të ndryshme që kanë shtetet atje”, tha Hoti.
Për ekzistimin e një propozimit francezo-gjerman, për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, mediet në Shqipëri e Serbi kishin raportuar kohë më parë, por kjo ishte mohuar në Kosovë.