Vizita e Gabriel Escobar në Kosovë dhe takimet e udhëheqësit e vendit
Ka përfunduar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me emisarin special të SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Gabriel Escobar. Pas takimit, shefi i ekzekutivit kosovar dhe mysafiri amerikan kanë mbajtur konferencë për media.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në takim kanë folur për raportet dy palëshe, partneritetin, për progresin, ballafaqimin me krizën energjetike si dhe dialogun me Serbinë, raporton RTKlive.
"Ishte pra kënaqësi ta mirëpres zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar. Pas vizitës së shefes ekzekutive të MCC-së, Alice Albright, kjo është vizita e dytë brenda dy ditëve e përfaqësuesve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me ambasadorin Amerikan në Kosovë takohemi rregullisht, ambasadorin Jeffrey Hovenier, ndërkaq, në fillim të javësh së shkuar, pata një bisedë telefonike shumë të mirë me Sekretarin e Shtetit Amerikan, z. Antony Blinken. Me z. Escobar folëm për rëndësinë dhe peshën e raporteve tona dypalëshe, partneritetin ndërmjet vendeve tona, për progresin dhe reformat në Kosovë, ballafaqimin me krizën energjetike dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe rrugën përpara", tha ai.
Sipas tij përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete, që japim, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut.
"Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. E mirëpresim gjithmonë interesimin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces. Rreshtimi i menjëhershëm i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar në vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe mbështetja e parezervë për Ukrainën dhe popullin e saj, përbëjnë dëshminë e aleancës dhe partneritetit tonë dhe në të njëjtën kohë dallimin me të gjithë ata të tjerët, të cilët nuk u rreshtuan siç duhet në anën e të vërtetës dhe të drejtës", tha Kurti.
Escobar: Mbështesim aspiratat e Kosovës për integrime euro-atlantike|Video
Më parë Escobar është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Pas takimit nikoqirja dhe mysafiri janë deklaruar për media.
E para e vendit, Vjosa Osmani tha se me Escobarin kanë diskutuar tema të ndryshme, teksa ka kritikuar Serbinë për mosimplementim të marrëveshjeve. Ajo tha se SHBA-të duhet të angazhohen në rajon, sepse aq më shumë që angazhohen ato rezultatet janë të kapshme.
“Historia e SHBA-së në Kosovë dhe rajon është e pazëvendësueshme dhe ekzistenciale. Sa më shumë angazhim të kemi nga aleati ynë, SHBA, aq më të mira janë rezultatet për paqe dhe stabilitet në rajon. Në këtë drejtim vura në pah punën e institucioneve për anëtarësim të Kosovës në strukturat euroatlantike”, tha ajo.
Sipas presidentes, me të deleguarin amerikan po ashtu ka diskutuar edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. “Kosova ka qenë gjithmonë palë konstruktive në dialog, e po ashtu është e gatshme ta rrisë angazhimin për gatishmërinë për intensifikimin e procesit të dialogut. Shfrytëzova rastin për të shprehur shqetësimin për mosimplementim të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Ajo vazhdon të mbështesë strukturat kriminale serbe”, tha ajo.
Osmani tha se do të jenë në koordinim me SHBA-të në të gjitha proceset. “SHBA nuk kanë aleat më të madh se shtetin e Kosovës dhe popullin e saj, jo vetën në rajon por edhe më gjerë”, tha presidentja, raporton RTKlive.
Kurse emisari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Gabriel Escobar, tha se qëllimi i vizitës në Kosovë ishte t'i japë mbështetje aspiratave euroatlantike të Kosovës. “Qëllimi i vizitës është për të shikuar mënyrën e bashkëpunimit me një aleate shumë të mirë dhe mike të mirë. Është miqësi e partneritet i bazuar jo vetëm në interes të përbashkët, por edhe në ndarjen e vlerave të njëjta. Pata dëshirë të shpreh mbështetjen e aspiratave euroatlantike të Kosovës dhe pjesëmarrjen e saj në dialog. Jam shumë krenar që Kosova ka kontribuar në këtë drejtim. Ngjarjet e kësaj jave janë dëshmi se si Kosova po kontribuon për agjendën e lirisë dhe demokracisë”, theksoi ai.