Ivan Todosijeviq dënohet me një vit burgim lidhur me deklaratat për Reçakun
Ish-ministri i MAPL-së, Ivan Todosijeviq është dënuar me një vit burgim.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër tij për veprën penale nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.
I akuzuari në periudhën kohore deri sa ishte në pozitën e ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Republikës së Kosovës, me dashje kishte nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore.
Ish-ministri i MAPL-së, Todosijeviq kishte deklaruar në mars të vitit 2019 se "arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.
Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.
Në masakrën e Reçakut, në janar të vitit 1999, ishin vrarë 45 civilë nga ushtria serbe.
RTK