Nëntor 03, 2022 19:46 Europe/Tirane
  • Scholz: Po shtyjmë Kosovën dhe Serbinë drejt marrëveshjes

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka konfirmuar se ekziston plani franko-gjerman, që është raportuar se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Sa u përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim. Ne dhe Qeveria franceze jemi duke u munduar që ta bëjmë të arritshme, të realizueshme dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi një proces ku të dy qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë një marrëveshje”, tha Scholz gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas samitit të Procesit të Berlinit. Scholz nuk dha detaje të këtij plani, për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë konfirmuar se kanë njohuri. Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet ta marrin seriozisht propozimin e Parisit dhe Berlinit, të cilin e vlerësoi si “një mundësi tejet të mirë jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin dhe botën” . Mediat në Kosovë kanë raportuar se propozimi nuk parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por parasheh njohjen e Kosovës nga pesë anëtarët e Bashkimit Evropian që nuk e kanë bërë këtë – Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia. Kancelari gjerman, në fjalimin e tij hapës në këtë samit, kërkoi përshpejtimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ekzistimin e propozimit franko-gjerman në tetor e konfirmoi edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se e përkrah atë.

 

Tags